Ademi: Me angazhimin e të gjithë faktorëve të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, asnjë i ri nuk do të largohet nga atdheu i tij

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë “Migrimi, mobiliteti dhe mirëqenia sociale në kontekstin e integrimit Euro-Atlantik” në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

Marketing

Ademi, para të pranishmëve vlerësoi se migrimi dhe shpërngulja apo zhvendosja e njerëzve nga vendbanimi i tyre, pavarësisht nëse kjo ndodhë për arsye sociale apo luftarake, është temë vërtetë e hidhur.

Ai, gjithashtu vlerësoi se çdo shtet që aspiron për t’u bërë anëtar i barabartë i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka për detyrë para vetes, respektivisht sfidë për të parandaluar zhvendosjen e komunitetit të vet në ndonjë nga vendet shumë të zhvilluara evropiane dhe botërore.

“Secili shtet që aspiron për t’u bërë anëtar i barabartë i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka për detyrë para vetes, respektivisht sfidë për të parandaluar zhvendosjen e komunitetit të vet në ndonjë nga vendet shumë të zhvilluara evropiane dhe botërore. Shteti është ai që duhet t’u lejojë njerëzve një qasje të barabartë, para dhe pas anëtarësimit në BE dhe NATO, që qytetarët tanë të ndjehen të barabartë dhe të kenë të gjitha kushtet për zhvillim personal dhe profesional në vendlindjen e tyre, në vendin ku kanë fituar shkathtësitë dhe njohuritë dhe të njëjtat t’i aplikojnë këtu dhe, me këtë, të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit të tyre.” – deklaroi Arbër Ademi.

I pari i arsimit në vend, shprehu bindjen e tij se me angazhimin e të gjithë faktorëve të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, asnjë i ri nuk do të largohet nga atdheu i tij.

“Unë jam fort i bindur se me angazhimin e të gjithë faktorëve të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë, asnjë i ri nuk do të largohet nga atdheu i tij. Askush nuk do të përpiqet të thotë se diku tjetër është më mirë sesa në shtëpi, se diku tjetër jetohet më mirë se këtu. Detyra jonë në periudhën e ardhshme është t’i mbajmë këta të rinj në territorin e vendit tonë, ndaj ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse të gjithë bëjmë përpjekje mbinjerëzore në mënyrë që ata të mund të realizohen/zhvillohen plotësisht si profesionistë në atdheun e tyre.” – është shprehur ministri Arbër Ademi.

Marketing