Ademi: Një orë sport kontribuon për një jetë më të mirë sociale se sa një orë në celularët smart

“Sporti, përveç kontributit për shëndetin e mirë dhe zhvillimin e të rinjve, kontribuon edhe në shmangien e veseve që shkaktohen çdo ditë ndaj fëmijëve tanë. Një orë sport kontribuon për një jetë më të mirë sociale krahasuar me përdorimin një orë të celularëve smart”, theksoi ministri i Arsimit dhe Skencës Arbër Ademi në inaugurimin e sallës sportive të Shkollës Fillore “Sabedin Bajrami” në Kamjan.

Marketing

Me këtë investim të MASH-it që kap vlerën e rreth 39 milionë denarëve, shkolla bëhet për herë të parë me sallë sportive e cila, sikurse tha Ademi do të ofrojë kushte moderne për realizimin e orëve mësimore në lëndën e kulturës fizike si dhe do të krijojë mundësi për shtimin e aktivitete sportive dhe rekreacionit.

Ai, shprehu bindjen se kjo sallë do të jetë në vëmendjen e të gjithë banorëve të Kamjanit, si dhe banorëve të fshatrave përreth, duke nënvizuar se “ky investim do të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se do të rritet interesimi i banorëve të kësaj zone për më shumë për aktivitete sportive dhe shoqërim”.

Ministri i Arsimit, bëri gjithashtu të ditur se krahas sallës sportive në SHF “Sabedin Bajrami”, MASH investoi gati 6 milionë denarë për sanimin e dyshemeve të shkollës përmes Programit për rinovim dhe rikonstruktim të shkollave fillore dhe të mesme. Ndërkaq, salla sportive me 1.300 metra katrorë është e pajisur me të gjitha rekuizitat e nevojshme për disiplina të ndryshme, si: hendboll, basketboll, futboll, volejboll, pingpong dhe gjimnastikë.

“Fëmijët tanë, respektivisht e ardhmja jonë, meriton shumë më tepër, por nuk mund të ndryshojmë gjithçka brenda natës. Jemi të vetëdijshëm se duhet të investojmë shumë më tepër, për t’i përafruar shkollat e Maqedonisë me shkollat e vendeve të zhvilluara dhe për këtë bëjmë përpjekjet maksimale”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës. Arbër Ademi, duke shtuar se MASH përpiqet dhe realizon vazhdimisht investime me qëllim të përmirësimit të kushteve në të cilat mësojnë nxënësit e të gjitha komunave.