Ademi paralajmëron paralele të re në “Imri Elezi”

Në shkollën fillore “Imri Elezi” ose “Nikolla Vapcarov në Çair së shpejti pritet të hapet paralelja e katërt për klasat e para.

Marketing

Me këtë, pas shumë vitesh zvarritjeje, do të shkarkohen tre klasat momentale të cilat janë të stërngarkuara me mbi 36 nxënës. Ministri Arsimit, Arbër Ademi tha se ka dhënë pëlqim për këtë kërkesë duke e nisur atë për aprovim në Ministrinë e Financave.

Kur jemi të shkolla “Imri Elezi”, në muajin tetor kemi pranuar kërkesë nga shkolla dhe për të njëjtën kemi dhënë pëlqim ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës më 12 tetor dhe të njëjtën kërkesë e kemi përcjellë deri te Ministria e Financave dhe shpresoj që Ministria e Financave të përgjigjet pozitivisht duke e pasur parasysh se ka bazë, është kërkesë e qëndrueshme, është kërkesa e arsyeshme për të angazhuar kuadrin përkatës, të nevojshëm në shkollën “Imri Elezi”.- u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Ndërkohë, lidhur me problematikën në shkollën “26 korriku” në komunën Shuto Orizarë, ministri Ademi tha se janë bërë gabime teknike gjatë parashtrimit të kërkesës e cila duhet të përmirësohet dhe të parashtrohet sërish në institucionet përgjegjëse.

Një ditë më parë nga shkolla fillore “26 korriku” thanë për Alsat se kishin parashtruar kërkesë për kuadër të ri për lëndët mësimore: histori, gjeografi, matematikë, fizikë, kimi, anglisht, maqedonisht dhe të tjera, por se kanë marë përgjigje negative. Gjithashtu, nga shkolla në fjalë thonë se kjo kërkesë është bërë për shkak të numrit të tepër të orëve mësimore për çdo mësimdhënës të lëndëve të lartpërmenduar.

Marketing