Ademi: Po punohet intenzivisht për reforma cilësore

“Me rëndësi është të kemi ligj dhe reforma cilësore. Nga përvoja e dimë, se kur shpejtojmë për të sjellë reforma, pësojnë nxënësit tanë, fëmijët tanë, për këtë shkak askush nuk duhet të lejojë të eksperimentohet me fëmijët tanë”, kështu ka vlerësuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Marketing

Duke folur më tej për procesin arsimor në Maqedoni, ministri Ademi ka njoftuar edhe njëherë për 22 librat e korrigjuar të furnizuara me tirazh të plotë, por ka bërë të ditur se si shteti i Maqedonisë dhe institucioni Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) përballen me probleme financiare.

“Nuk do të ishte korrekte të them se gjithçka është perfekt, dhe se nuk përballemi me sfida. D.m.th. edhe këtë vit shkollor, ashtu si edhe në të kaluarën, përballemi me sfida të caktuara, dhe një pjesë e tyre ligjin me ndryshimet që duhet të realizohet në procesin arsimor, duke e pasur parasysh se arsimi është sistem i cili duhet të plotësohet me risi vazhdimisht, por ka edhe sfida me të cilat përballemi për shumë vjet si institucion dhe shtet, dhe një pjesë e tyre janë të karakterit financiar. Por më lejoni të theksoj, se ky vit shkollor nisi me shumë risi, dhe më duhet ta pranoj edhe me shumë suksese.

Kemi 22 libra të korrigjuar për filloristët, dhe që të gjithë 22 librat janë furnizim me tirazh të plotë, kështu që çdo nxënës do të ketë libër të ri dhe të korrigjuar. Më pas për më të vegjlit, nga klasa e parë deri te e treta, çdo vit, duke filluar nga i sivjetmi, do të kenë libra të ri në të gjitha lëndët mësimore”, tha Ademi.

Ministri Ademi ka bërë të ditur se në mënyrë intensive është duke u punuar në ligjin për arsim fillor, dhe atë në nivel ekspertësh.

“Ajo çfarë është paralajmëruar, një pjesë e reformave të paralajmëruara, sigurisht se do të jenë të inkorporuara në ligjin e ri për arsim fillor. Ne punojmë në atë ligj në mënyrë intensive, dhe në nivel ekspertësh, por zhvillohet konsultime edhe në nivel politik, në kuptimin e gjetjes së një zgjidhje të mirë, me të cilën do të përmirësohet arsimi fillor. Ajo çfarë është premtuar dhe e parashikuar në programin qeveritar, është obligim për ne dhe besojmë se në afat të caktuar do të finalizohet”, tha Ademi.