Realizimi i projekteve të trashëguara nga qeveria paraprake, por edhe projektet të tjera në interes të qytetarëve do të jenë sfidë e qeverisë aktuale.
Kështu u shpreh në “Rruga drejt…”, Arbër Ademi nga BDI, i cili në mënyrë taksative numëroi disa nga projektet të cilat janë në realizim e sipër dhe të tjera që pritet të realizohen deri në fund të mandatit të kësaj qeverie.
“Sigurisht se shqiptarët kanë se çfarë të presin duke filluar nga realizimi i projektit më të madh infrastrukturor, korridorit 8, gjithçka është gati që punimet të fillojnë në verë të këtij viti, pra bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukturor në vend. Rruga e Arbrit është në realizim e sipër dhe do të përfundoj në vitin 2023. Kësaj qeverie të re i mbetet të vazhdoj rrugën Shkup-Bllacë…Vazhdimësi e projekteve të cilat janë të rëndësishme për shqiptarët… Vazhdimësi edhe më tutje për politikat pro-evropiane, euro-atlantike, pro-perëndimore duke hapur negociatat me BE-në, dhe votimi për këtë qeveri në fakt nënkupton votë për BE-në, për Marrëveshjen e Ohrit, për fqinjësi të mirë, për korridorin e8, për agjendën e gjelbër, për dixhitalizim, për gazifikim, për stabilitet politik, për siguri në vend e kështu me radhë. Prioritete këto që në fakt përbëjnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, tha Arbër Ademi, BDI./ Alsat.mk