Qeveria e re e drejtuar nga Dimitar Kovaçevski që pritet të formohet muajin tjetër, pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, pritet të ketë shumicë më stabile në Kuvend. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, është i bindur se pas dështimit të mocionit të opozitës, asnjë deputetë nuk do të tentojë të rrëzojë Qeverinë e re, e cila, sipas tij, është e orientuar në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për vendin, shkruan gazeta LAJM.
“Ashtu siç kemi thënë para zgjedhjeve lokale, kemi shumicë edhe më të fuqishme parlamentare dhe mendoj se nuk do të ketë deputetë edhe për një kohë të caktuar, që do të tentojnë me “Levicën” apo subjekte tjera të rrëzojnë një Qeveri properendimore, proevropiane, euro-atlantike, e cila është e fokusuar maksimalisht në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme, në sjelljen e vendimeve që duan sakrifica, duan përkushtim, janë të rënda, tejet të vështira, por janë në interes të qytetarëve dhe hapin perspektiva për qytetarët. Prandaj, mendoj se shumica edhe sot, edhe në ditën kur do të votohet qeveria e re, nëse formalisht kemi një dorëheqje dhe një propozim program dhe propozim për zgjidhje personale kuadrovike, për një qeveri të re, do të ketë një shumicë stabile të qendrueshme, e cila do të jetë rreshtuar pas qeverisë dhe përcaktimeve programore të Qeverisë”, tha shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi.