Ademi: Viti mësimor në institucionet arsimore vazhdon përmes aplikimit të mësimit nga distanca!

Ministri i Arsimit Arbër Ademi njoftoi vendimin e miratuar në Qeveri që ka të bjë me mësimin nga distanca në të gjitha nivelet arsimore.

Marketing

Të nderuar mësimdhënës, nxënës, studentë!

Të dashur prindër,

Më lejoni t’ju informoj se me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar Dekrete me fuqi të ligjit, me të cilat parashikohet që shkollat fillore dhe të mesme, si dhe institucionet e arsimit të lartë dhe institutet shkencore publike të organizojnë mësimin nga distanca, respektivisht mësimi të zhvillohet nga shtëpia me anë të aplikimit të mjeteve për komunikim elektronik.

Secili institucion arsimor vendos individualisht për formën e mësimit nga distanca që do të aplikojë, duke marrë parasysh mundësitë e të gjitha palëve të përfshira në procesin arsimor për përdorim të mjeteve të caktuara të komunikimit elektronik (platforma video-konferencash, postë elektronike dhe ngjashëm) që ofrojnë mësim dhe komunikim të ndërsjellë të dyanshëm pa praninë fizike të të interesuarve.

Stafi mësimdhënës është i detyruar që, gjatë mësimit nga distanca të zhvillojë mësimin, të organizojë ushtrime, teste, notim dhe vlerësim objektiv të njohurive të nxënësve.

Unë personalisht besoj në aftësinë e institucioneve arsimore, si dhe të stafit mësimor, kështu që pres të vazhdojë procesi edukativo-arsimor për të gjithë ata që janë pjesë e sistemit arsimor të vendit dhe, në të njëjtën kohë, dua të ndaj njoftimin se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është vazhdimisht dhe plotësisht e përgatitur për të ndihmuar aty ku do të vërehen sfida dhe nevoja për mbështetje.

Dituria është mjeti më i fuqishëm për suksesin personal. Prandaj, nuk duhet të lejojmë që procesi arsimor të ngecë, por përkundrazi të angazhohemi që të vazhdojë procesi edukativo-arsimor pandërprerë në këto rrethana të jashtëzakonshme dhe të vështira për të gjithë ne.
Ky është detyrim i ynë i përbashkët!