VMRO-DPMNE ka vazhduar akuzat për aferën “Pronat Sekrete” për 123 funksionarë të lartë, të cilët sipas opozitës, kanë fshehur pronat e tyre duke mos i deklaruar në listat anketuese të pronësisë.
Nga “Pallati i Bardhë” kësaj radhe drejtojnë gishtin tek kryetari e Komisionit për Miratimin e Investimeve FITR, Sasha Maksimovski, anëtarët e këtij komisioni dhe tek anëtarja e Bordit të qendrës transitore për azilkërkues, Ana Marija Pavliq, një pjesë e të cilëve, sipas VMRO-DPMNE-së, fare nuk kanë dorëzuar listën anketuese për posedim të pronës, ndërsa pjesa tjetër pronën e tyre e kanë paraqitur vetëm pjesërisht.
“Sasha Maksimovski – si kryetar i Komitetit për Miratimin e Investimeve, njëkohësisht i punësuar edhe si udhëheqës i një sektori në Qeveri, nuk ka dorëzuar listën e tij anketuese deri tek KSHPKK-së, ndërsa ne konstatuam se në emër të tij ai ka banesë në lagjen Karposh. As Tedi Conevski – anëtar i Komisionit për Miratimin e Investimeve në FITR, nuk e ka dorëzuar listën e pronësisë. Conevski nuk e ka deklaruar pasurinë e tij, e cila sipas hulumtimit tonë përbëhet nga së paku një banesë në Gorno Sonjë, një banesë në Kisella Vodë dhe një banesë në Qendër. Conevski është edhe themelues i Kompanisë “Intrarel soft DOOEL” në Shkup, të cilën e ka themeluar në shtator të këtij viti. Njëherit, përveç kësaj, ai është i punësuar edhe në një kompani të madhe telekomunikacioni. Ana Marija Paliq – anëtare e Bordit Drejtues të Qendrës transitive për azil kërkues nuk ka dorëzuar listën anketuese edhe pse, sipas informacioneve tona, ajo në emër të saj posedon veturë luksoze Audi A5, ndërsa pjesa tjetër e pronës është hedhur mbi anëtarët e tjerë të familjes.”,- tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Opozita të martën publikoi 4 emrat e parë në listën e atyre që sipas saj fshehin pronat.
Akuzat e opozitës, të akuzuarit mohojnë se kanë fshehur pronat
Por ata që u akuzuan, kanë hedhur poshtë akuzën e VMRO-DPMNE-së. Drejtori i NP “Pyjet Nacionale” Valentin Gruevski, si dëshmi në rrjetet sociale, publikoi fotografi të dërgesave të tij deri tek Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ku shihet se ka dorëzuar listën anketuese për posedim të pronës dhe se nuk ka fshehur gjë.
Anëtari i Bordit Drejtues të Qendrës Transitive për Azilkërkues, Ivica Jetviq, tha se nuk e ka dorëzuar listën anketuese pasi që paga mujore për angazhimin e tij në këtë bord ka qenë vetëm 1.000 denarë në muaj, ndërsa në Fondin e Holokaustit ka punuar vullnetarisht.
Pavarësisht kësaj nëse Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit vlerëson se ai ka shkelur ligjin, shprehet i gatshëm të paguaj gjobën