Afganistan: Sulme dhe parregullsi gjatë zgjedhjeve presidenciale

Në Afganistan ka përfunduar votimi për zgjedhjet presidenciale, të cilat u përshkuan me disa sulme dhe ka me raportime për parregullsi në qendrat e votimit.

Marketing

Pesëmbëdhjetë kandidatë garuan në këto zgjedhje, por favorit konsiderohen presidenti aktual, Ashraf Ghani dhe shefi ekzekutiv, Abdullah Abdullah.

Pak kohë pasi u hapën vendvotimet, zyrtarët në Kandahar raportuan për një shpërthim në një xhami, e cila po përdorej si qendër votimi. Zyrtarët thanë se nga ky sulm janë lënduar të paktën 15 persona.

Në përgjigje ndaj sulmeve të fundit të talibanëve, qeveria rriti sigurinë në zgjedhje. Rreth 72 mijë pjesëtarë të sigurisë u shpërndanë në mbarë vendin, për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor.

Mbi 2 mijë prej 7 mijë qendrave të votimit u mbyllën, pas shqetësimeve se militantët mund të kryejnë sulme. Në të kaluarën, militantët talibanë kanë sulmuar qendrat e votimit dhe në javët e fundit kanë kërcënuar se gjatë zgjedhjeve presidenciale do të kryejnë sulme të ngjashme.

Përveç sulmit në Kandahar, ka pasur edhe raportime për sulme me raketa edhe në pjesë të tjera të vendit. Agjencia Reuters ka raportuar se shpërthime ka pasur në Kabul, Ghazni dhe Jalalabad. Po ashtu, më vonë është raportuar se kryengritësit kanë sulmuar me mortaja edhe qytetin e Kunduzit.

Zyrtarët afganë po ashtu kanë raportuar se gjatë procesit zgjedhor ka pasur probleme, siç është votimi me pajisje biometrike – gjë që është zbatuar me qëllim të shmangies së mashtrimeve zgjedhore.

Rreth 9,6 milionë afganë kanë pasur të drejtë të votojnë në këto zgjedhje. Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që mbahen në Afganistan, që prej rrëzimit nga pushteti të talibanëve më 2001.