Ageler: Ose e përkrah atë që është e nevojshme për të ecur drejt BE-së ose je kundër

Ambasadorja amerikane Anxhela P. Ageler thekson se lëvizja e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian ka një afat kohor, të caktuar nga vetë Unioni, përkatësisht mbajtja e konferencës së radhës ndërqeveritare në nëntor, por me ndryshime kushtetuese të miratuara. Ajo në intervistën për MIA-n i referohet ndryshimeve kushtetuese, mundësisë për të siguruar një shumicë prej dy të tretash, por edhe kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme, e më pas të shqyrtohen ndryshimet në Kushtetutë.

Marketing

Ageler thekson se njeriu ose mbështet ose mban qëndrim kundër asaj që nevojitet për ta çuar vendin drejt BE-së.

“E di gjithashtu se ka nga ata jashtë këtij vendi, por edhe brenda vendit, që do të donin të dëmtonin atë proces për të ecur përpara, ndërsa gjithashtu ka një afat kohor me Bashkimin Evropian, si dhe konferencën e radhës ndërqeveritare. e cila është e rëndësishme dhe vjen në nëntor, kështu që kjo është pjesë e bisedës. Unë nuk jam e bindur për këtë, por ka nga ata që thonë se nuk i mbështesin ndryshimet kushtetuese, nëse nuk bëhen zgjedhje të parakohshme dhe pastaj do t’i mbështesin. Unë mendoj se ose e mbështet të bëhet ajo që është e nevojshme për të ecur drejt BE-së ose je kundër saj. Dhe përsëri shpresoj që ata, në secilën palë, që kujdesen për të ardhmen e këtij vendi, do të marrin vendimet për të ecur përpara dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ecur drejt BE-së. Tani nëse kjo do të thotë zgjedhje të parakohshme apo jo, nëse ato do të ndodhin pranverën e ardhshme, nuk mund ta parashikoj, por do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe më besoni, ne po shikojmë me shumë kujdes”, thotë Ageler.

Ajo theksoi se është fakt që qytetarët e këtij vendi bënë një zgjedhje të vështirë dhe morën vendime të vështira për ndryshimin e emrit.

“Dhe kjo ishte diçka që nëse do të më kishit pyetur para se të largohesha në 2013, nëse vendi do ta bënte këtë, nuk do ta kisha besuar. Njerëzit e kuptojnë se ka vendime të vështira për t’u marrë. Por ju keni absolutisht të drejtë, vetëm sepse keni një qëllim nuk do të thotë se do ta arrini atë. Kjo kërkon veprim dhe në këtë rast nevojitet një ndryshim tjetër kushtetues. E di që njerëzit janë të lodhur nga kjo, por në të njëjtën kohë duan të jenë në Bashkimin Evropian, sepse i njohin përfitimet e mëdha të hapjes së këtyre dyerve në Bashkimin Evropian dhe në integrimet euroatlantike”, thekson ambasadorja amerikane.

Ajo shtoi se nevojitet një vendim tjetër i vështirë dhe shprehu shpresën se liderët e të gjitha partive politike do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe thjesht do të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe të ardhmes së tij.