Ageler për deklaratën e Mickoskit se ambasadorët ndërhyjnë në punët e brendshme: Nuk kemi për qëllim të përzihemi, por t’ju mbështesim

Qëllimi ynë nuk është asnjëherë të përzihemi, por t’ju mbështesim – thotë ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, në lidhje me deklaratën e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski se është bërë praktikë që ambasadorët e huaj të pëzihen në punët e brendshme të vendit, transmeton Portalb.mk.

Marketing

Deklarata e kryeministrit i referohej deklaratave të disa ambasadorëve në vend se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk duhet të shpërndahen – masë të cilën VMRO-DPMNE e kishte paralajmëruar që para zgjedhjeve.

Në një intervistë për emisionin “200” të Televizionit Alsat, Ageler thotë se vendimet e marra në Këshillin Gjyqësor dhe në drejtësi në përgjithësi janë vetëm për drejtuesit e këtij vendi, por shton se është zhgënjyese besimi i publikut ndaj gjyqësori, që është vetëm dy për qind.

“Qëllimi ynë asnjëherë nuk është të përzihemi. Gjithmonë ka qenë synimi ynë t’ju mbështesim. Vendimet e marra në Këshillin Gjyqësor, apo sinqerisht, në çdo organ tjetër brenda gjyqësorit, janë vendime të marra vetëm nga drejtuesit e këtij vendi. Ne nuk themi se kush duhet të ulet në asnjë gjykatë. Ne nuk themi se kush duhet të jetë anëtar i ndonjë këshilli. A ka korrupsion të përhapur në gjyqësor? Po. Kur mbështetja dhe besimi i publikut tek gjyqësori është 2 përqind, është zhgënjyese”, tha Ageler në një intervistë për TV Alsat.

Kryeministri Hristijan Mickoski para pak kohësh shprehu gatishmërinë që të ulet në të njëjtën tryezë me ambasadorët në vend dhe të bisedojë me ta për një zgjidhje më të mirë potenciale që do të ofronin për të ardhmen e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë si organe gjyqësore-prokuroriale, ndërsa kjo të mos jetë shpërndarja e tyre.

VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për “Sloboden Peçat” dhe “Fokus” Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.