Ageler: Reformat në RMV, tatimpaguesve amerikanë u kanë kushtuar rreth gjysmë miliard dollarë

Angazhimet për reforma në Maqedoninë e Veriut, tatimpaguesve amerikanë u kanë kushtuar rreth gjysmë miliard dollarë. Prandaj, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, gjatë prezantimit të rekomandimeve dhe planit aksionar për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të punojnë së bashku për të krijuar një reformë të vërtetë gjyqësore. Ajo shtoi se të vepruarit nuk ka çmim, sidomos kur veprimet bazohen te kurajoja dhe integriteti. Ageler tha se duhet rindërtuar besimi në gjyqësor si dhe transparenca në procedura ligjore.

Marketing

“Thuhet se “të flasësh është pa para”, dhe zakonisht kjo është e vërtetë. Por tri dekada të angazhimit dhe asistencës amerikane të të folurit për reformat në sundimin e ligjit, për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për një bashkëpunim më të madh mes gjyqësorit, shoqërisë civile dhe qytetarëve dhe zyrtarëve në këtë vend? Kjo nuk ka qenë pa para. Na ka kushtuar afërsisht gjysmë miliard dollarë të taksapaguesve. …Pra, le ta riemërtojmë ndryshe marrëveshjen e sotme “Thirrje për veprim”. Le të angazhohemi për ta bërë këtë plan më shumë se një dokument për t’u nënshkruar dhe arkivuar. Gjyqtarët, prokurorët, ministrat, anëtarët e parlamentit dhe drejtuesit e shoqërisë civile, madje edhe diplomatët duhet t’i kenë parasysh rekomandimet e tij dhe më pas të punojnë së bashku për të krijuar një reformë të vërtetë gjyqësore,” – Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Darko Avramovski nga koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” tha se platforma e “Përmirësimit të pjesëmarrjes së palëve të përfshira në procesin e reformave në gjyqësor” ka për qëllim koordinimin mes gjykatësve dhe prokurorëve publikë, ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta lidhur me problemet dhe çështjet e rëndësishme të fushës.

“Të ofrohen rekomandime nga ana e tyre që kanë të bëjnë me pushtetin ekzekutiv, ligjvënës, por edhe pushtetin gjyqësor, me qëllim që të përparohet efikasiteti dhe shpejtësia e procedimeve penale dhe mbi të gjitha sundimi i së drejtës… megjithatë, veçanërisht ato procedura penale që edhe opinioni më shpesh i ndjek dhe përmes tyre informohet për punën e gjykatave,” tha Darko Avramovski, “Të gjithë për gjykime të drejta”.

Një pjesë e rekomandimeve kanë të bëjnë me ndryshimin e praktikave dhe qasjes së veprimit të vetë prokurorëve publikë dhe gjykatësve.