Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, sot u takua me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut – akademikun Taki Fiti për të parë nga afër nëse ky institucion i lartë shkencor ka filluar zbatimin e fazës së parë nga obligimet që burojnë nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve.
Gjatë takimit u vërejt se ASHAM-i vonon në zbatimin e fazës së parë nga obligimet që dalin nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, me ç’rast akademiku Fiti shfaqi gatishmëri që, pas ndryshimit të Ligjit të ASHAM-it, do të jenë të gatshëm të bëjnë ndryshimet e nevojshme për të zbatuar procedurat ashtu siç i parashikon Ligji.
Drejtori Sela me këtë rast tha se Zbatimi i Gjuhës shqipe nga ana e këtij institucioni të lartë shkencor, siç është ASHAM-i, do të ishte shembull dhe motiv shtesë edhe për institucionet e tjera shkencore dhe kulturore në vend duke pasur parasysh gjuhën e tjetrit si vlerë dhe jo si hendikep.
Kryetari i ASHAM-it, akademiku Taki Fiti, falënderoi drejtorin Sela për këto takime të rëndësishme që i realizon nëpër institucione të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë për zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe, ashtu siç e parashikon edhe vetë Ligji i Përdorimit të Gjuhëve.
ASHAM-i, u shpreh akademiku Taki Fiti, në kryesinë e saj numëron edhe 4 akademikë të lartë shkencorë me kombësi shqiptare dhe se domosdoshmërisht zbatimi i gjuhës shqipe në punën e tyre do të jetë e pashmangshme, duke mos anashkaluar faktin se do të duhet të angazhohet kuadër profesional për të ndjekur punën e këtij institucioni.
Krejt në fund të takimit palët shprehën interes të përbashkët për të nënshkruar memorandum bashkëpunimi si bazë për shkëmbimin e përvojave institucionale.