Agjërimi faktor për të formësuar veten tonë

Shkruan: Dr.Kujtim Kasami

Marketing

Agjërimi si formë e adhurimit është i vjetër dhe metodë e komunikimit të padukshëm midis krijesës dhe Krijuesit. Këtë lloj adhurimi nuk mund ta akceptojnë përveç atyre të cilët kanë fituar dhuratën më të çmuar nga ana e Zotit, e ajo është udhëzimi hyjnor.

Një individ i cili së paku njëherë në jetën e tij nuk ka provuar me vendosshmëri të agjëroj dhe këtë adhurim t’ja kushtoj të Madhit Zot si formë falenderimi për gjithëçka që posedon dhe e shfrytëzon në çdo frymë që merr gjatë gjithë kohës sa është gjallë në jetën e kësaj bote, e ka vështirë të bindi veten e tij për këtë lloj sakrifice që bën një besimtar/e.

Në raste dhe momente të ndryshme njeriu merr edhe guxim të pamatur për të paragjykuar për agjërimin se thjesht është një privim nga të mirat që “zotron” njeriu dhe se nuk ka nevojë Zoti që njerëzit të largohen nga haja, pija dhe kënaqësit e jetës.

All-llahu në Kuranin Famëlartë për vlerën e njeriut thotë: ‟Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”(Surja Tin, 4), pra, e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur si nga ana fizionomike, po ashtu edhe nga ana metafizike (shpirtërore). Pra, njeriu është krijuar në formë të bukur, trup të drejtë, me organe që përshtaten me njëri-tjetrin, me mend, me ndjenja, me aftësi për ta dalluar të mirën nga e keqja, me gjuhë që flet dhe i pajisur me moral. Si nga ana fizionomike, po ashtu edhe nga ana metafizike (shpirtërore) e morale, njeriu është krijuar në formën më të përkryer. Njeriu kur lind nuk është kaq i formuar, por, është krijuar i pajisur me potencialin që gjatë rritjes të arrijë një formim të tillë.

Padyshim, agjërimi sikurse adhurimet tjera, mësimet dhe edukimi i mirëfilltë janë mundësi dhe metodologji e përsosur jetësore që ndihmon në formësimin e individit.

Pse është i rëndësishëm formësimi i njeriut?

Njeriu është krijesa më madhështore dhe më me vlerë. Si i këtillë misioni i tij në jetë është të arrij të bëhet “rob” i Zotit dhe të ndërtoj jetën në këtë botë me qëllim të arrij lumturinë dhe kënaqësinë në këtë botë por edhe në botën tjetër.

Njeriu kur devijon nga misioni i tij mund të bëhet qenie e dëmshme dhe e pavlerë. Këtë në formën e komunikimit direkt na ka lajmëruar All-llahu i Madhërishëm në ajetin vijues, në Sure Tin, 5, ku thotë: “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve”.

Duke mos e sjell në vend potencialin për të cilin është krijuar, Zoti (xh.sh) e zbriti njeriun në më të ultin e të ultëve. Ose “Duke e kthyer nga gjendja e mirë, në gjendjen më të ulët si nga ana fizike dhe shpirtërore, e shtymë atë drejt xhehenemit ose shkallës më të ulët të xhehenemit.”

Ndërsa sipas një mendimi tjetër: E kthyem atë në gjendje pleqërie. Sepse, njeriu i krijuar në formën më të bukur, me kalimin e kohës zbukurohet, fuqizohet dhe arrin drejt pjekurisë. Por, pas arritjes së pjekurisë fizike kthehet drejt rënies. Fillon kthimi pas. I bie fuqia, i rrudhet fytyra, lëkura i varet, arrin në një gjendje aq të pafuqishme saqë jeta bëhet e padurueshme për të. Në suren Haxh thuhet se, njeriu pas arritjes së pjekurisë, ka prej tyre që jetojnë deri në pleqëri të thyer (ile erdheli’l umurr), në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur ( Surja Haxh, 22/5.). Sipas këtij kuptimi, vallë edhe besimtarët do të arrijnë në një gjendje të tillë? Po, edhe trupi i besimtarëve arrin në një gjendje të tillë, por ata nuk mbrapsen me plakjen e trupit, përkundrazi fuqizohen shpirtërisht dhe shpirti i tyre arrin kënaqësinë e pafundme në botën tjetër (ahiret).

Sipas Meududit ajeti ka këtë kuptim: Njeriu i krijuar në formën më të bukur, nëse e përdor potencialin e tij fizik dhe mendor për gjëra negative, atëherë Allahu (xh.sh) i jep atij sukses vetëm në rrugë negative. Për rrjedhojë, ai njeri bie në një gjendje të ulët dhe kështu arrin në një pikë aq të ulët nga pikëpamja morale saqë asnjë lloj krijese nuk arrin aq poshtë. Kjo është një e vërtetë, që duket qartë në shoqërinë njerëzore. Për shkak të sjelljeve negative si: zilia, pangopësia, egoizmi, epshi, shthurja morale, poshtërsia, urrejtja, inatosja etj., me të vërtetë njeriu zbret në gjendjen në ulët. Kjo rënie është për shkak të punëve dhe veprave të tij. Këtu bëhet fjalë për vullnetin e lirë të njeriut. Përndryshe Allahu (xh.sh) nuk e poshtëron njeriun pa arsye nga krijesa më e bukur në më të ultin e të ultëve.

Agjërimi formëson gjuhët tona

Të gjithë kryerësit e këtij adhurimi (agjërimit) një diçka duhet të kenë në mendje për gjatë gjithë kohës, e sidomos gjatë momenteve kur jemi agjërueshëm, se fjalët e kota, që përmbajnë fyerje, sharrje, dhunë, përgojim, shpije, akuza, rrena, mashtrime, dëmtim të integritetit dhe personalitetit të tjetrit janë të ndaluara ashtu siç janë të ndaluara haja, pija dhe kënaqësit tjera nga syfyri deri në kohën e iftarit.

E tërë kjo vërtetohet nga hadithi i Pjegamberit s.a.v.s. ku ka thënë:

“Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit me të, Allahu xh.sh nuk ndien nevojën e braktisjes së ushqimit dhe pijes së tij.” Gjithashtu hadithi tjetër ku Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm braktisje e ngrënjes dhe pijes, por agjërimi konsiderohet të larguarit nga fjalët e kota dhe shprehjeve të ndyta.”

Poashtu një thënie tjetër e mrekulluar e Muhamedit a.s që na tregon për ndikimin e agjërimit për formësimin e njeriut, siç ransmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s ka thënë: “Agjërimi është mburojë (mbrojtje), prandaj (agjëruesi) mos të llomotisë (të flasë fjalë që Allahu s’është i kënaqur) e as mos ti injorojë (kufijtë e Allahut), e nëse dikush e sulmon (i shpall armiqësi) apo e shanë le të thotë dy herë: unë jam agjërueshëm.”

Të përjetojmë këtë muaj të Ramazanit me agjërim duke ngritur dhe formësuar në rradhë të parë vetet tona, sepse vërtetë kemi nevojë shumë për këtë gjë.

Zoti i Madh na ndihmoftë në këtë drejtim !

Marketing