Agresioni ndaj Kosovës, PE pritet të miratojë sot rezolutë të posaçme

Parlamenti Evropian do të miratojë të enjten një rezolutë të posaçme për aktin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Marketing

Sipas Rel-it, rezoluta do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet më 19 tetor gjatë seancës plenare të PE-së.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në Komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej sulmuesve u vranë.

Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.