Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar sot takimet me aktivin e saj dhe qytetarët në Gostivar, duke bashkëbiseduar mbi të ardhmen europiane të vendit kësaj rradhe me banorët e këshillave vendorë të Malësisë së Gostivarit – Sërmnovë, Tërnovë, Strajan, Patalisht, Gjenovicë dhe Simnicë.
Të pranishmëve iu është drejtuar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ministri i financave Fatmir Besimi, kryetari i Degës së Bashkimit Demokratik Integrim, Valdet Xhaferi dhe Imran Zhupani nga KV Sërmnovë, ndërsa të pranishëm ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim
A është ky moment i rëndësishëm që ne të reflektojmë dhe të mendojmë pak më larg dhe në qoftë se merremi seriozisht për të shërbyer njerëzve, të ardhmes, t’i nderojmë ata të cilët kanë derdh gjak e djersë për këtë vend duhet të ndalemi dhe të mendojmë se a është ky moment i rëndësishëm “Bashkë për në Europë”? Si do jemi bashkë për në Europë ne kur jemi 5, 6 apo 7 parti politike, a është ky moment që ta ndërtojmë ne bashkë një front për në Europë dhe ta shkurtojmë rrugën e anëtarësimit, të dalim me një thirrje, apel edhe për bashkëqytetarët tanë se ky shtet është i përbashkët. Autonominë bashkëqytetarët tanë maqedonas nuk mund ta kenë më të fortë se bashkë me bashkëqytetarët e vet shqiptarë. Ne po angazhohemi për një Maqedoni sa më të fortë, të integruar ashtu siç jemi në NATO të jemi edhe në Bashkimin Europian dhe pse të mos ndërtohet kjo aleancë pikërisht në këtë moment, dobiprurëse shumë për ne jo vetëm si shqiptarë, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Anëtarësimi në Bashkimin Europian të përafron standardet, të siguron jetë më të mirë, të kushtëzon të përmbushish standardet para se të anëtarësohesh. Po punove me zemër dhe besim nuk ka gjë që nuk arrihet. Ka parashikim për në 2030-tën por ne mund ta shkurtojmë më shumë rrugën po qe se i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe detyrat e shtëpisë nuk i bëjmë ne se i kërkon Brukseli e Uashingtoni, i bëjmë se na duhen neve, të sundojë ligji ne na duhet, të kesh administratë funksionale ne na duhet, të mos kesh krim e korrupcion ne na duhet. Ne na duhet një front për në Europë si shqiptarë sepse ai e shkurton rrugën drejt anëtarësimit dhe i lehtëson punët drejt materializimit të standardeve duke filluar nga vetingu e deri te sundimi i ligjit.