Ahmeti – Koja: BDI e përgatitur për zgjedhjet presidenciale

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është takuar me Ambasadorin Klemens Koja, shef i misionit të OSBE në Shkup. Lideri i BDI-së me këtë rast ka njoftuar ambasadorin Koja rreth situatës politike në vend dhe rajon, sundimin e ligjit, zgjedhjeve presidenciale. Gjatë takimit është biseduar edhe për tema të tjera të interesit të ndërsjellë.

Marketing

“Kryetari Ahmeti përshëndeti avancimin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në nivel shumë më të lartë të Ministrisë duke e cilësuar këtë arritje si fort të rëndësishme që fuqizon edhe më tepër frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Ahmeti foli edhe për angazhimin e BDI-së në drejtim të sundimit të së drejtës dhe plotësimin e standardeve evropiane duke theksuar rolin konstruktiv dhe vendimtar që ka luajtur BDI në përpilimin dhe miratimin e paketave reformuese”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
BDI shpreson që këto përpjekje do të vlerësohen nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian.

“Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, Ahmeti njoftoi që të gjitha shtabet zgjedhore të BDI-së në çdo degë tashmë janë themeluar dhe janë funksional në shërbim të fitores së konceptit të kandidatit të përbashkët konsensual”, thuhet në njoftim.

Ahmeti dhe Koja biseduan edhe për zhvillimet në rajon si dhe për procesin e anëtarësimit në BDI si dhe Kongresit që do të duhet të mbahet pas kompletimit të procesit zgjedhor.