Ahmeti: Kosova duhet të ketë një fund të dobishëm

Unë dua që Kosova të ketë një fund dhe ai fund të jetë i dobishëm për Kosovën. Të mbyllet një vrimë e zezë në rajon, në Ballkanin Perëndimor. Mbase situata është shumë interesante, për herë të parë shoh një angazhim shumë serioz të SHBA-ve dhe duke e pasur parasysh këtë seriozitet, tanimë më rritet bindja se rreziku nga Lindja është mjaft serioz. Kështu ka thënë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan.

Marketing

“Jo pak aktivitete nga Lindja ka patur në mënyrë shumë të sofistikuar dhe shumë të organizuar. Po punohet intenzivisht nga NATO, SHBA-të dhe BE. Në Evropë dihet që ka vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe sigurisht ka divergjenca brenda BE-së. Sigurisht se, duke vlerësuar situatën në Ballkanin Perëndimor, SHBA kanë një qasje shumë më të organizuar, sepse Kosova është një projekt euro-amerikan. Të gjitha projektet i kanë bërë bashkë me Evropën, deri para dy ditësh”, tha Ahmeti, ndërsa ka shtuar se duhet guxim për të zgjidhë këtë problem kaq të madh.

“Kosova nuk është problem vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe i gjithë Evropës. Është problem i gjithë shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë hequr nga regjimet serbe. Kanë të vrarë gjithandej… Kjo çështje shtrohet edhe për pajtim dhe ashtu duhet parë, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe shqiptarëve në përgjithësi që kanë pasur tragjedi nga regjimet serbe. Ne duhet inkurajojmë të gjithë shqiptarët, edhe Tiranën në këtë drejtim”, u shpreh Ahmeti.

Për zgjidhjen e problemeve të mëdha, ka vijuar më tej ai, duhet të tregohet burrështetësi, guxim. “Zgjidhje që do të kënaq palët nuk do të ketë asnjëherë, por pres një zgjidhje dhe kompromis të mirë. Koha ka treguar gjithandej se kompromiset janë më të mira se sa kokëfortësia”, tha lideri i BDI-së.