Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale ka mbajtur takim me qytetarë në Komunën e Sarajit. Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetari i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se në këto zgjedhje BDI do të përkrah kandidatin konsensual, kandidat që ka mbështetjen e partive më të mëdha politike në vend dhe kandidat që do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane.
”Tash kemi hapur një kapitull të ri për presidentin e përbashkët. Sot është koha e punës, sot kërkohet sundimi i së drejtës, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, arsim sa më të mirë, shëndetësi më të mirë, infrastrukturë më të mirë pasi ne pretendojmë shumë shpejt me këto vlera që ndërtojmë do të jemi anëtarë të BE-së ashtu siç jemi të NATO-s. Sot ai që nuk lexon që nuk sheh se kah shkon rruga drejt Evropës, drejt ardhmërisë, është i varfër nga idetë. Ne investojmë jo për sot, por për mot, ne investojmë për dekada që vijnë dhe të investosh për ardhmërinë nuk është lehtë pasi dalin ca altoparlant për të penguar, por se a mund ta ndalin hovin, vizionin, përkrahjen, përkushtimin assesi pasi 18-të vite e kanë mbështetur shqiptarët BDI-në dhe kjo përkrahje nuk është e rastësishme pasi ka arritur të jetësoj, materializoj të gjitha programet të shkruara e të folura,” u shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Kryetari i BDI-së më tej tha se dallimet në mes dy komuniteteve tejkalohen me arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta, siç u arrit një gjuhë e përbashkët duket e ndihmuar njëri – tjetrin në zgjedhjet lokale edhe atë në qytetet Strugë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë ndërkaq, një pjesë e qytetarëve shqiptarë në Shkup kanë votuar për kryetarin e qytetit të Shkupit pasi nuk mund të fitonte një shqiptarë dhe për këtë duhet të jemi realist dhe racionalist.
“Shoqërinë duhet ta dërgojmë në atë drejtim ku të gjejmë ura komunikimi vetëm në këtë mënyre ecim përpara. Unë mendoj se duhet të përshpejtojmë rrugën për Evropë me ndërtimin e këtyre vlerave dhe një ndër këto vlera është presidenti konsensual dhe një nga këto vlera ka qenë zgjedhjet lokale që i kemi bërë, Marrëveshja me Bullgarin dhe Greqinë dhe Ligji për Gjuhet këto janë vlera me çka ne merremi si model në Evropë dhe në vendet e komuniteti ndërkombëtarë. Andaj me 21 prill ju ftoj që të votojmë për koncept, për një filozofi të re, për një koncept që shqiptarët i lartëson dhe ne duhet të investojmë sot për të korr në mot,” përfundoi kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Të pranishmëve iu drejtua edhe shefi I Shtabit Qendror Zgjedhor Izet Mexhiti dhe kryetari I Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.