Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti pas mbledhjes së sotme të Kryesisë Qendrore të partisë i publikoi emrat e kandidatëve të tyre për ministra në Qeverinë e re pas marrëveshjes me LSDM-në për ndarjen e dikastereve.
“Kjo qeverisje është qeverisje e barazisë. Nesër do ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit, mikun tonë Talat Xhaferin, ndërsa pastaj edhe miqtë tjerë tanë, Artan Grubin si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik, Fatmir Besimin si ministër të Financave, Bujar Osmanin për Punë të Jashtme, Kreshnik Bekteshin në Ministrinë e Ekonomisë, Naser Nuredinin në Mjedisin Jetësor dhe mbetet të merremi vesh me partnerët e koalicionit për ministrin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike”, tha Ali Ahmeti.
Në pyetjen e gazetarëve se si janë tejkaluar pakënaqësitë e anëtarësisë partiake nga Çairi dhe Kumanova me këto zgjidhje kadrovike, Ahmeti tha se ka pasur debat, ndërsa të gjitha vendimet janë marrë me marrëveshje.
“Shumica e Bordit Qendror i pranuan këta kandidatë të cilët janë propozuar. Të gjithë nga degët janë këtu, nuk ka parti e cila nuk ka debate për këto çështje. BDI gjithnjë është transparente dhe në fund të gjithë e mbështetën vendimin i cili u morr me shumicë. Nuk ka shqetësime, është e natyrshme që këto çështje të kenë debat deri në momentin e fundit. Të gjitha kuvendet e organeve partiake janë në praninë e mediave dhe janë transparente”, theksoi Ahmeti.
Sipas kryetarit të BDI-së, Qeveria e ardhshme si edhe në të kaluarën edhe në të ardhmen me parim demokratik të konsensusit do t’i sjellë të gjitha vendimet.
“Koncensualiteti zbatohet në miratimin e buxhetit, si dhe të gjitha vendimet, aty ku nuk ka konsensus nuk ka funksionalitet. Të gjitha qeveritë janë qeveri politike dhe në vend të parë për ne është parimi i demokracisë konsensuale. Kjo shihet edhe më herët dhe tani nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi. Se si do të rregullohet në Qeveri marrja e vendimit të kryeministrit dhe të zëvendëskryeministrit të parë nuk jam jurist që të japë interpretim”, tha Ahmeti.
Në pyetjen se si do të veprojë Qeveria e re për zhvillimin ekonomik të vendit Ahmeti tha se ka shumë punë në të cilat do të përkushtohen.
“Ka projekte përfundimi i të cilave e dimë se do të sjellë përfitime për qytetarët. Ato janë autostrada Kërçovë-Ohër, Shkup – Kaçanik, gazsjellësi. Ka shumë projekte dhe investime të cilat duhet të vazhdojnë”, tha Ahmeti.
Për Naser Zyberin i cili ishte kandidat për kryeministër, Ahmeti theksoi se ai si notar vazhdon me punën e tij dhe në të ardhmen do të vendoset për funksionin eventual.
Para anëtarëve të Këshillit, Ahmeti porositi se 105.000 vota dhe 15 mandate me të drejtë e bënë Bashkimin Demokratik për Integrim fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën para një muaji.
“Kjo qeveri do ta vazhdojë rrugën drejtë integrimit evropian dhe partneritetit euroatlantik dhe do të jetë gardian i Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Marrëveshjes së Ohrit, por edhe do të realizojë veting në politikë dhe gjyqësor dhe do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik”, tha Ahmeti.