Ahmeti: Pavarësia e Kosovës është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar!

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që siç tha, kjo ditë, është është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar. Ahmeti uroi që shumë shpejt, përvjetorin e Pavarësisë, Kosova ta festojë si anëtare e NATO-s.

Marketing

“E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

Në këtë ditë të shënuar, 17 shkurt, kur kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë t’Ju dërgoj urimet më të sinqerta dhe më të ngrohta për këtë ngjarje historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Pavarësia e Kosovës është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar, i cili, me përpjekjet ndër breza, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me jetët e mijëra dëshmorëve dhe martirëve, arriti të realizojë ëndrrën e tij për liri dhe pavarësi. Ky proces i lavdishëm ka qenë i mundur gjithashtu falë mbështetjes së palodhur të aleatëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne, të gjithë shqiptarët, jemi të pafund mirënjohës për angazhimin dhe kontributin e aleatëve tanë në çlirimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Kjo mirënjohje konkretizohet në bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian, për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe për avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Kosova, pa dyshim, nuk ka alternativë tjetër, përveçse të ecë përpara në forcimin e shtetit të saj, duke siguruar avancimin e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut. Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe për avancimin e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë.

Uroj që shumë shpejt, përvjetorin e Pavarësisë, Kosova ta festojë si anëtare e NATO-s dhe pjesë e familjes së madhe evropiane.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, dhe shëndet, suksese dhe prosperitet për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Ali Ahmeti.