Ahmeti përkujon 32 vjetorin e deklaratës kushtetuese të Kosovës

“Sot bëhen 32 vjet nga momenti kur 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, në Prishtinë sypatrembur nga rrethimi policor dhe ushtarak shpallën Deklaratën kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës jugosllave”, kujton përvjetorin lideri i BDI njëherit veprimtar i kohës, Ali Ahmeti, transmeton Lobi Maqedoni

Marketing

Ky akt politiko – juridik, shkruan Ahmeti, ishte shprehje e vullnetit shekullor të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat vendimtare, dëshmi e qëndresës heroike në kauzën e drejtë dhe frymëzim i shumë ngjarjeve të mëpasme të rezistencës demokratike.

“Kosova jonë ka qëndruar në këmbë falë guximit të veprimit kombëtar të shumë gjeneratave që për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e saj u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht”, shkruan Ahmeti.

Kujtojmë që miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.

Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kacanikut me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë gjendet në prag edhe të pavarësisë formale si shtet. Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë

Ka kaluar një kohë e gjatë nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por unë kisha dashur t’i kujtoj lexuesit se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar. Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës.

Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara.

Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj. Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi, e cila shpresoj se do të përfundojë këtë vit me pranimin e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës. Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Deklarata, projekt i pavarësisë

Duke medituar disa vjet pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, e cila në historinë më të re të Kosovës njihet si Deklarata e Pavarësisë, mendoj se dy ngjarje të mëdha e shënuan vitin 1990 që me pietet dhe mburrje do të kujtohen brez pas brezi: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe Shpallja e Republikës së Kosovës, përkatësisht, miratimi dhe shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të të njëjtit vit, si aktin më të lartë politik dhe juridik të një shteti. Ndërkaq, fundshekullin e XX do ta pasojnë edhe vendimet dhe aktet e tjera jo më pak të rëndësishme se dy të parat: Rezoluta mbi shpalljen e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur e 22 shtatorit, Referendumi për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur që u mbajt nga 26-30 shtator të vitit 1991 dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

Vlen që të përkujtohet se Kosova e viteve tetëdhjetë u gjet në një situatë shumë të vështirë, për shkak të synimeve agresive të pushtetit serb që të zhbëjë gjithçka shqiptare, duke përdorur të gjitha mekanizmat e presionit dhe të dhunës në mënyrë që t’i nënshtrojë shqiptarët dhe Kosovën.

Pas suprimimit të subjektivitetit politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës nga ana e Serbisë, përmes ndryshimeve kushtetuese të dhunshme, për popullin e Kosovës dhe klasën e saj politike dhe intelektuale u shtrua dilema hamletiane – të jesh apo të mos jesh. Në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit legjendar, Dr. Ibrahim Rugova, e cila krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën. Duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror, Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Deklaratën Kushtetuese, përkatësisht, Deklaratën e Pavarësisë. Tani ndodhemi në një fazë të re kur nga institucionet e pushtetit shtetëror të Kosovës, me të drejtë kërkohet njohja e pavarësisë, ndërsa nga faktori ndërkombëtar kërkohet që të bisedohet për status.

Edhe në qoftë se do të ketë biseda, ato duhet të bëhen me institucionet relevante ndërkombëtare, mbi bazën e platformës politike dhe juridike të përcaktuar më parë, siç është përcaktuar në aktet e përmendura edhe rezoluta e fundit e Kuvendit aktual të Kosovës e miratuar kohë më parë.

Shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e kanë përjetua si fitore të tyren.