Ahmeti: Po ta doni vendin, votoni ndryshimet kushtetuese

Të gjitha ato subjekte politike, të cilat e quajnë vetën patriot dhe atdhetar dhe se ia duan të mirën këtij vendi, të njëjtat duhet t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse RMV-ja nuk ka alternativë tjetër, këtë e tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin me strukturat partiake në Shkup, ku përcolli urimet për festat e fundvitit.

Marketing

“Nëse janë patriotë dhe atdhetarë, duhet ta mbështesin ndryshimin e Kushtetutës dhe bullgarët të jenë kategori kushtetuese, sepse kështu për herë të parë legjitimohet ndërkombëtarisht kombi maqedonas. Ne, shans e kemi anëtarësimin në BE dhe shërbim më të madh kombit tonë, sesa anëtarësimi në BE, ne nuk mund t’i bëjmë, se kështu mund të dalin njerëzit që mos ta braktisin vendin e vet.”, – deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lideri i integristëve, po ashtu foli haptazi se BDI-ja ka filluar me idenë e bashkimit të forcave politike, me qëllim që të krijohet i ashtuquajturi “Fronti Evropian”, të cilin Ahmeti tha se do të jenë të shumtë ata të cilët do ta përkrahin këtë front, por pa potencuar ndonjë subjekt të caktuar politik.

“Pse duhet formuar “Fronti për Evropë”? Ky front duhet të jetë avangardë e mobilizimit dhe organizimit jo vetëm të shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të RMV-së dhe e ardhmja jonë është në Evropë. Ashtu siç kam bër apel para 10 vitesh për ju dhe për të gjithë opinionin vendor e ndërkombëtarë se Ukraina nuk është larg, unë them njëzëri nga këtu që t’i themi JO Rusisë, PO Evropës dhe të ecim të gjithë bashkë sup më sup deri në realizimin e këtij programi.”, – theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu njoftoi se për vitin 2024 BDI-ja ka paraparë realizimin e shumë projekteve kombëtare dhe nacionale. Sipas tij, ka shumë projekte për të cilat janë siguruar mjete financiare dhe pritet që të përfundohen në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit.