Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë Ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e veriut, z. Denion Meidani.
Kryetari Ahmeti përgëzoi ambasadorin Meidani për detyrën e re dhe e siguroi që marrëdhëniet vëllazërore midis tij dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në vend do të vijojë si gjithmonë.
Z. Ahmeti njoftoi Ambasadorin Meidani për situatën aktuale politike në vend dhe pasojat që mund të sjell vendimi për të suspenduar dhe mosrespektuar vullnetin e popullit shqiptar të shprehur në zgjedhje demokratike më 8 maj.
Marrëveshja e Ohrit po cënohet edhe nga vazalët e ditëve të sotme që po poshtërsojnë shqiptarët çdo ditë e më tepër duka na kthyer pas dhe duke rrënuar të arriturat në aspekt të barazisë në vend.
Lideri Ahmeti njoftoi Ambasadorin Mediani për angazhimin e z. Paul Williams dhe ekipit të tij të ekspertëve për hartimin e platformës së legjitimitetit dhe moslejimin e nëpërkëmbjes së vullnetit të shqiptarëve.
Gjithashtu u fol për korridorin 8 dhe u dakorduan që është projekti më i rëndësishëm infrastrukturor historik midis dy vendeve dhe do të vijojë së ndërtuari.
Porti i thatë në Strugë, kontrolli i përbashkët i kufirit, ndërtimi i hekurudhës Kërçovë – Durrës, korridori 8, me doemos të vazhdojnë dhe të realizohen në përpikmëri.