Miliç Sakoviç, një prej krerëve të klanit mafioz malazez “Skaljari”, është ekzekutuar pak para mesnatës të së premtes në Budva. Ndaj tij u qëllua me tetë plumba me një automatiku të shkurtuar, të cilin vrasësi e mbante poshtë rrobave të tij e më pas qëlloi disa herë në drejtim të bosit të Podgoricës.
Kamerat e sigurisë në zonë e kanë filmuar vrasësin, i cili ishte veshur me një këmishë të bardhë me krahë të gjata, kapele dhe xhinse.
Dhe, si duket lëvizjet e tij të dyshimta i kishin vënë re edhe miqtë e Sakoviç-it. Ata kishin dalë për darkë në një restorant, dhe viktima ishte me shpinë. Sipas dëshmisë që ata kanë dhënë në polici, një prej tyre edhe e paralajmëroi Sakoviçin, por ai nuk i dha shumë rëndësi detajit dhe vijoi me darkën.
Vetëm pak minuta më vonë, një autori u afrua dhe lëvizi nga drejtimi i “Old Toën” drejt tavolinës ku ata po darkonin. Edhe pse sërish një nga miqtë e paralajmëroi sërish duke i thënë “shiko ky njeriu i dyshimtë”, porsërish Sakoviç nuk reagoi.
Më pas ai brenda pak minutave u afrua, nxori armën dhe e qëlloi bosin e Podgoricës pas kokës në një distancë prej gjysmë metri.
Nga kamerat është kuptuar se vrasësi kishte një trup të mbushur dhe me gjatësi mesatare. Teksa vraponte për të ikur nga vendi i ngjarjes, ai është penguar në një bordurë duke lënë aty gjurmë të tij. Më pas rezulton nga kamerat se ai është ngritur dhe ka humbur mes lagjeve të qytetit.
Ka dyshime se vrasësi nuk është malazez, nisur edhe nga fakti se ai nuk mbante maskë dhe nuk e fshehu identitetin e tij, ndërkohë që u ul vetëm një tavolinë larg objektivit të tij. Policia e gjeti më pas armën me të cilën u vra Sakoviç duke e çuar për ekspertizë ligjore.
Nga këqyrja e trupit ka rezultuar se Sakoviç ka marrë tetë plumba në trup. Tre i ka marrë në kokë dhe pesë të tjerë në pjesë të ndryshme.
Krahas armës, policia ka gjetur edhe veshjet e vrasësit, të cilat i kishte hedhur aty pranë pas kryerjes së krimit. Dyshohet se autori kishte një bluzë nën këmishën e tij me qëllim humbjen e gjurmëve pas largimit nga vendi i ngjarjes.
Miliç Sakoviç rezulton të jetë njëri prej krerëve të klanit “Skaljari” dhe i ishte besuar kontrolli i Podgoricës prej drejtuesve të klanit. Ata janë në një luftë të hapur me klanin tjetër nga Kotorri, “Kavaç” dhe gjatë këtyre viteve, beteja mes tyre ka rezultuar me dhjetëra viktima nga të dyja palët.