Ballina Lajme Kosovë Akademiku serb: Vuçiqi e di fort mirë që Kosova është e humbur

Akademiku serb: Vuçiqi e di fort mirë që Kosova është e humbur

Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb, ka thënë se Kosova është e humbur dhe se për këtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetëdijshëm.

Marketing

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai thotë se Vuçiqi megjithatë nuk e pranon këtë fakt sepse i duhet për vota.

“Ai sigurisht që nuk guxon për shkak të rejtingut të tij politik, sikurse edhe një numër i madh i politikanëve opozitarë, të dalë para popullit dhe të thotë – e humbëm Kosovën në luftën e vitit 1999 dhe çfarë të bëjmë tani? Vuçiqi e kupton mirë që Kosova ka kohë që ka humbur, por për hir të poenëve politike vazhdon të luajë rolin e ‘As-it të serbëve’, duke kryer në të njëjtën kohë fshehurazi dhe gjysmëfshehurazi pjesërisht atë që dakordohet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Politika e Vuçiqit për Kosovën është një politikë e humbjes së kohës, mortifikimit dhe gënjeshtrës për të qëndruar sa më gjatë në pushtet”, tha akademiku serb, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, Serbia në vitin 1912 e përfshiu Kosovën si pjesë të saj, ndërsa në vitin 1999 e humbi vendin ushtarakisht.

Ndërkaq, “që nga nënshkrimi i Marrëveshjes në Kumanovë, popullata është gënjyer sistematikisht dhe janë përhapur histori për dofarë marrëdhëniesh të ndryshme ndërmjet fuqive të mëdha në të ardhmen, që do të çojë në faktin se Kosova do të jetë edhe një herë pjesë e Serbisë. Vuçiqi do të kujdesej siç duhet për serbët e Kosovës nëse do t’u thoshte të vërtetën! Dhe e vërteta është pikërisht aty përballë nesh, thjesht kemi frikë ta shprehim. E vërteta është se sot, në vitin 2023, Kosova është një vend i njohur nga numri më i madh i anëtarëve të BE-së, Amerika, Kanadaja, Japonia, Australia dhe detyra jonë është që, në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar, të negociojmë kushtet më të mira të mundshme për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, potencoi ai.

Duke komentuar mundësinë e zgjidhjes së çështjes me Kosovën, akademiku serb tha se Vuçiqi ka gënjyer vazhdimisht si qytetarët në Serbi, ashtu edhe serbët në Kosovë.

“Një varg i tërë veprimesh dhe deklaratash të tij gjatë dhjetë viteve tregojnë se ai gjithmonë përpiqej të tregohej si evropian jashtë Serbisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kishte një serbizëm të madh në Serbi dhe Republika Sërpska”, tha Teodoroviq.

Ai thotë se Vuçiqi gjatë gjithë kohës sa është në krye të shtetit të Serbisë, nuk mbahet mend për ndonjë gjë pozitive. Sipas tij, ai nuk arriti as të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Është e qartë se nga ana e tij nuk ka vullnet politik që problemet në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë të zgjidhen në mënyrën e duhur. Prishtina gjatë sundimit të tij autokratik mori prokurorinë, gjykatat, policinë, pasaportat, postën, telekomunikacionin, doganat, industrinë e energjisë elektrike dhe regjistrimin e automjeteve, por ai ende arrin të paraqitet para një pjese të madhe të votuesve të tij pamjaftueshëm të arsimuar, pamjaftueshëm të informuar dhe të trajnuar në mënyrë nacionaliste si njëfarë mbrojtësi i Kosovës me dofarë vijash të kuqe”, u shpreh akademiku serb, transmeton Klankosova.tv.

Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb, tha se BE-ja aktualisht po sillet butësisht me Vuçiqin. Por shton se mund të vijë koha kur gjërat do të ndryshojnë, sikurse në rastin e Sllobodan Millosheviqit.

“BE-ja sillet më shumë se në mënyrë të favorshme ndaj Vuçiqit. Shpjegimi i vetëm që mund të gjej në interesin e BE-së është për ta zgjidhur sa më shpejt problemin e Kosovës, në atë mënyrë që i përshtatet. Nuk e përjashtoj mundësinë që në një moment bashkësia ndërkombëtare të bëhet më pak tolerante dhe të fillojë të sillet ndryshe ndaj Vuçiqit. Sanksionet kundër Vuçiqit dhe rrethit të tij dhe aktakuzat e mundshme janë një alternativë e mundshme që ende nuk është provuar. Të mos harrojmë se si ka kaluar Millosheviqi në lojëra të ngjashme me komunitetin ndërkombëtar. Rrugëtimi i Millosheviqit nga ‘paqebërësi në Ballkan’ në ‘kasapi ballkanik’ nuk ishte i gjatë”, potencoi Dushan Teodoroviq, profesor universitar dhe akademik serb.

Marketing
Exit mobile version