Aksident i rëndë në Saraj, vetura del nga qarkorja dhe futet në oborrin e shtëpisë (FOTO)

Një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Saraj të Shkupit, raporton Televizioni SHENJA. Një veturë me targa të Serbisë ka dalë nga qarkorja e autostradës në afërsi të Sarajit duke përfunduar kështu në oborrin e një shtëpie.

Marketing

Sipas dëshmitarëve ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 e 25 të mëngjesit dhe në veturë ka qenë vozitësja, një grua 36-vjeçare. E vetmja e lënduar mësohet të jetë vetëm vozitësja, ndërkaq në veturë raportohet se ka pasur një karrocë për fëmijë.

Megjithatë, për shkak të shokut të përjetuar, gruaja nuk ka arritur të konfirmojë nëse me të ka pasur ndonjë fëmijë ose jo në veturë. Shoferja është dërguar në spital dhe gjendja shëndetësore e saj për momentin nuk dihet.

Banorët thonë se policia ka arritur në vendngjarje në orën 7 e 10 minuta. Akoma nuk dihet cilat kanë qenë shkaqet e këtij aksidenti.