Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi një tren pasagjerësh dhe autobus u përplasën në një vendkalim hekurudhor në Sllovakinë jugore.
Përplasja ndodhi pak pas orës 17:00 (15:00 GMT) pranë qytetit jugperëndimor të Nové Zámky, njoftoi agjencia e lajmeve CTK. Zëdhënësja e hekurudhave, Vladimira Bahylova, tha për AFP se treni Eurocity ishte nisur nga Praga në Budapest.
Petra Klimesova, një zëdhënëse e shërbimeve të shpëtimit, tha se të lënduarit kishin nevojë të menjëherëshme për mjekim dhe shtoi se numri i njerëzve të vrarë në këtë aksident mund të rritet.
Shoferi i trenit përsoi djegie të rënda sepse lokomotiva mori flakë. Përplasja ndodhi në një vendkalim hekurudhor që ishte i mbrojtur me barriera dhe ishte i pajisur me sinjale drite.
Mediat lokale publikuan pamjet video të pasagjerëve që mbanin bagazhe pranë një treni pjesërisht në flakë, ndërsa tym i dendur gri ngrihej në qiell. Katarina Molnarova, një pasagjere që regjistroi videon, tha për AFP se ajo “ndjeu dhe dëgjoi një përplasje dhe një zhurmë” pikërisht kur treni u largua nga stacioni Nové Zámky.
“Pas disa minutash ne mundëm të zbrisnim … Pamë që pjesa e përparme e trenit ishte në zjarr,”. “Nuk kishte asnjë ulërimë apo panik… Ne morëm bagazhin tonë dhe ecëm në rrugë”, ishin komentet e dëshmitarëve.