Informacioni për aksidentin e autobusit të kompanisë transportuese “Besa Trans” që ndodhi në Republikën e Bullgarisë, si dhe Informacioni për gjendjen dhe aktivitetet e ndërmarra për zbardhjen e rastit të zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës, janë në rend dite të seancës së sotme të Komisionit të Përhershëm Anketues Parlamentar për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve.
Informacioni për aksidentin e autobusit në Bullgari është marrë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me kërkesë të kryetarit të Komisionit të Përhershëm Anketues, ndërsa Informacioni për Spitalin Modular të Tetovës, është parashtruar nga deputeti Halil Snopçe dhe Elmi Aziri.
Para anëtarëve të Komisionit të Përhershëm Anketues janë edhe raportet vjetore të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi për vitin 2021, si dhe të Byrosë për përfaqësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për vitin 2021, ndërsa duhet të shqyrtohet edhe Raporti vjetor për punën e Komisionit Ndërsektorial për Ekzekutimin e Vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për vitin 2020.