Aksidenti i rëndë me tre të vdekur në rrugën Prilep-Manastir – Këto janë detajet e fundit

Dy mjek dhe një teknik rëntgeni kanë humbur jetën në një aksident fatal që ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën Prilep-Manastir të fshatit Lagovë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i lënduar, shkruan Alsat.

Marketing

Në aksident është përfshirë një makinë dhe një maune, të cilat pas përplasjes së fuqishme janë përfshirë nga flakët.

Vetura në të cilën ndodheshin viktimat, ishte me targa të Prilepit, ndërsa drejtohej nga 42 vjeçari me inicialet N.V, në makinë ishin edhe dy persona të tjerë nga Prilepi.

Ndërkohë mauna ishte me targa të Shkupit ndërsa drejtohej nga 51 vjeçari me inicialet G.R nga Manastiri.

“Tre persona që ndodheshin në veturë kanë humbur jetën. Nga forca e goditjes, vetura dhe mjeti i mallrave janë djegur. Me shumë mundësi shkak i këtij aksidenti është shpejtësia e papërshtatshme për kushtet e rrugës. Ne si ekip mjekësor kemi konstatuar vdekjen e tre personave dhe një i lënduar. Vozitësi i maunës me lëndime trupore është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm në Prilep”, tha Boshe Millosheki, shef i ndihmës së shpejtë.

Njësiti zjarrfikës ka intervenuar me 5 automjete dhe 12 zjarrfikës.

Materiali që po barte mauna, sipas informacioneve të para ka qenë sfungjer dhe për këtë arsye kishte vështirësi në shuarjen e flakëve.

“Kur kemi mbërritur në vendngjarje kemi parë se nuk është vetëm kamioni i djegur, por edhe një automjet, dhe pamë se kishte ndodhur një aksident në të cilin ka viktima. Trupat nuk hiqen derisa të vijë prokurori publik për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore dhe për të përcaktuar numrin e saktë të të vdekurve. Tani për tani kjo është situata, ne po e sigurojmë hapësirën, ka rrjedhur benzina dhe nafta, është veturë hibride me bateri litiumi, shpresojmë që të mos ketë ndonjë shpërthim, tha Viktor Stojçeski, zëvendës komandat i Njësiti të zjarrfikëseve.

Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, ndërsa prokurori publik la lëshuar urdhër për obduksionin e trupave të viktimave, si dhe për ekzaminimin e mostrave të gjakut të shoferit të maunës.

Marketing