Aksidenti me 2 viktima në Rrugën e Kombit, dalin pamjet e përplasjes brenda tunelit

Ky është momenti i aksidentit të trefishtë në brendësi të tunelit të Kalimashit, mbrëmjen e së mërkurës ku mbetën të vdekur dy shtetasve nga Kosova, Sadik e Nesret Osmani, përkatësisht 58 dhe 45 vjeç që shihni dhe në këtë foto.

Marketing

Gjithashtu u plagosën 3 persona të tjerë.

Tv Klan ka siguruar këto pamje ekskluzive të fiksuara nga kamerat e sigurisë brenda tunelit, ku siç shihet automjeti tip “Ford”, ku udhëtonin viktimat ka qenë duke lëvizur në korsinë e shpejtësisë kur është goditur nga pas nga makina tip Mercedes Benz.

Shpejtësia e lartë e lëvizjes së “Benzit” dhe goditja e fortë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme dy shtetasve nga Kosova.

Krahas makinës tip “Ford” të viktimave, siç mund të shihni në këtë aksident është përfshirë dhe një autobot, i cili gjithashtu ka marrë një goditje nga makina tip “Mercedes Benz”, me drejtues Arben Berishën.

Ky i fundit është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet si shkaktar i aksidentit me dy viktima. Nga hetimet e deritanishme, 48-vjeçari ka dyshime se ka humbur kontrollin mjetit si pasojë e shpejtësisë së lartë.