Aksidenti në Lepenc / Arrest shtëpiak për 64 vjeçarin nga Shkupi

64 vjeçar nga Shkupi është në procedurë hetimore për aksidentin që ndodhi ditën e shtunë në rrugën Shkup-Bllacë, ku si pasojë jetën e humbën tre shtetas të Kosovës. Nga Prokuroria thonë se me 17 qershor i dyshuari drejtonte veturën e pasagjerëve “Volksëagen Turan” me targa të Shkupit dhe kur ka arritur para tunelit të Badarit, ku qarkullimi rregullohet me sinjalistikë të komunikacionit, për shkak të punimeve në rrugë, ka ndërmarrë aksionin e parakalimit të kolonës që lëviznin në të njëjtin drejtim. Në momentin e tejkalimit ka pasur kontakt në mes tij dhe një veture “BMW” me targa të Kosovës, e cila lëvizte si automjeti i tretë në kolonën që i dyshuari po parakalonte.

Marketing

“Si pasojë e përplasjes, vetura “BMW” ka dalë nga rruga dhe ka rënë në shtratin e lumit Lepenec, ndërsa vetëm njëri nga pasagjerët ka arritur të dalë nga automjeti dhe trupat e tre të tjerëve janë gjetur të nesërmen. Makina është nxjerrë nga uji.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimi është duke u zhvilluar për “Vepër penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa gjatë procedurës hetimore, prokuroria do të ndërmarrë veprime, do të dëgjojë dëshmitarë, do të urdhërojë ekspertiza shtesë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Duke marrë parasysh moshën dhe shëndetin e të dyshuarit, prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet arrest shtëpiak, por edhe t’i konfiskohet pasaporta si garanci se do të jetë në dispozicion gjatë procedurës penale. Ndërsa, derisa po hetohet nëse aksidentin e ka shkaktuar duke tejkaluar autokolonën e veturave, pritet raporti i autopsisë së 3 trupave të familjes nga Kosova, të cilat tashmë i janë dorëzuar mjekësisë ligjore.