Prokuroria e ka zgjeruar hetimin edhe për prindërit e Vasill Jovanovit, shoferit 20-vjeçar i cili në gjendje të dehur, pa patentë shoferi, në semafor të kuq e me shpejtësi më të madhe se sa e lejuara e aksidentoi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kullakova. Prokuroria, po mbledh të dhëna për rolin e prindërve sa i përket blerjes dhe mirëmbajtjes së veturës.
“Është zgjeruar procedura edhe ndaj prindërve dhe janë dhënë urdhra përkatës edhe deri te Ministria e Punëve të Brendshme, Sektori për Punë të Brendshme-Shkup t’i shqyrtojnë këto rrethana, në lidhje me atë se kush i ka dhënë mjete për benzinë të veturës, prej kur është vetura, kur e ka përdorur, kur është blerë. Pra, e gjithë ajo do të analizohet”, deklaroi Gavrill Bubevski, shef i PTHP Shkup.
Todor Kullakov, babai i të ndjerës Frosina, mbrëmë kërkoi që shoferi të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërkaq prindërit të japin llogari për pjesëmarrje në vrasje.
“Pasi i ke blerë telefon që të merresh vesh në lidhje me vrasjen, ti je pjesë e atij procesi, t’i fsheh vrasje, ti je pjesëmarrës në këtë vrasje. Prindërit dua të japin llogari si pjesëmarrës të qartë dhe të pastër në këtë vrasje, pasi e fshehin”, tha Todor Kullakov, babai i Frosinës.
Vdekja e Frosinës ka shkaktuar revoltë të madhe në opinion, për çka mijëra qytetarë dolën në protestë dhe kërkuan ndëshkimin e shoferit, i cili paraprakisht është kapur duke tregtuar me drogë, por në vend të burgut ka përfunduar me vendim për dërgimin e tij në shtëpinë edukuese korrektuese në Tetovë. Për rastin në fjalë, u mbajt protestë në Shkup, ndërkaq për të shtunën është paralajmëruar marsh protestues në Negotinë. /Alsat.mk