Aksion humanitar ne Kumanove(Foto)

Në kuadër të aksionit Mëshira dhe Solidariteti i Ramazanit, i cili realizohet nga Organizata Humanitare Hilal që funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Hënën më 20 Maj, u ndërmor aksion humanitar në qytetin e Kumanovës, gjegjësisht me Myftininë e Kumanovës, ku në mënyrë të koordinuar u bë ndarja 10 tonelata ndihma humanitare për familjet skamnore, të pastrehët dhe jetimët.

Marketing

Këto aksione të përditshme të ndërmarra nga OH Hilal mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamive në tërë vendin, të cilat fillimisht përpilojnë lista të skamnorëve dhe më pas ato ndihma shpërndahen sipas këtyre listave në tërë territorin e vendit tonë.
Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti i dorëzoi 10 tonelata ndihma Myftiut të Myftinisë së Kumanovës, Abedin ef. Imeri, i cili bashkë me stafin e tij dhe në prezencë të mediumeve lokale falënderoi publikisht OH Hilal dhe Kryetarin e saj ef. Dautin si dhe një falënderim të posaçëm për Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për angazhimin e palodhshëm në sferën e humanitetit dhe sigurimin e ndihmave për skamnorët e jetimët dhe të gjithë nevojtarët.

Me këtë rast Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti falënderoi Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe na dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni. Ai gjithashtu falënderoi edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka për mbështetjen disa vitëshe.
Efendi Dauti para mjeteve të informimit deklaroi se: “Sot aksioni Mëshira dhe solidariteti iu përgjigj kërkesës së Myftinisë së Kumanovës dhe listave të përpiluara paraprakisht, për të ndihmuar skamnorët dhe jetimët që gravitojnë në këtë Myftini, ku edhe bëmë ndarjen e 10 tonelata ndihma. Njëherit e ripërsëris se dua të falënderoj Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi, pa ndihmën e të cilit këto aksione nuk mund të realizoheshin si dhe për faktin që vazhdimisht na jep mbështetje të fuqishme, kurajë dhe vullnet që këto ndihma të shkojnë në vendin e duhur, pra tek skamnorët dhe të gjithë ata që kanë nevojë”.
Pas dhënies së deklaratave për mediumet, Myftiu i Kumanovës dhe Kryetari i OH Hilal filluan të ndajnë ndihmat për skamnorët të cilët paraprakisht ishin njoftuar dhe planifikuar.

Ashtu siç u përmend më herët, OH Hilal për gjatë muajit të Ramazanit ka planifikuar aksione të pandalshme ku do të bëhet shpërndarja e 200 tonelatave ndihma, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.