Aksion i madh policor në Tetovë dhe Ohër, nën pranga disa persona

Policia në “gjueti” pas personave që dyshohen se janë të përfshirë në krim të organizuar. Në rajonin e Ohrit dhe Tetovës, policia ka realizuar bastisje në disa lokacione dhe nën pranga janë vënë disa persona.
Në terren kanë qenë më shumë ekipe dhe përveç inspektorëve për luftë kundër drogës, në aksionin policor kanë marrë pjesë edhe njësitet speciale. Jozyrtarisht mësojmë se në Tetovë janë kontrolluar dy lokacione të të njëjtit pronar, një tek ish-rektorati i UT-së dhe tjetri në fshatin Bogovinë. Bëhet fjalë për persona që kanë në pronësi klube nate dhe kazino. Janë kontrolluar jo vetëm lokale, por edhe shtëpi. Aksionin policor në këto dy qytete e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke u zhvilluar aksion i madh policor në rajonin e Tetovës dhe Ohrit. Po kryhen bastisje në disa lokacione, ka edhe persona të ndaluar. Me detaje të aksionit MPB-ja dhe PPKOK-i do të dalin gjatë ditës.”, thonë nga Prokuroria. Më shumë hollësi nga aksioni policor kompetentët do të japin gjatë ditës.
Aksion i madh policor u zhvillua edhe para dy ditëve në rajonin Strumicë-Gevgjeli. Janë arrestuar 14 doganierë, një doganier në pension dhe një polic dhe të njëjtit akuzohen se një vit e gjysmë kanë marrë ryshfet për të mos kryer kontrolle të mallrave të importuara në vend.
Marketing