Aksion policor në Shkup/ Kapen “dilerë” rruge të drogës – arrestohen 28 persona!

Autoritetet e sigurisë në vend thonë se kanë ndërmarrë një aksion të madh policor për të shkatëruar shitjen e lëndëve narkotike nëpër rrugët e Shkupit. Sipas MPB-së, nga liria janë privuar 28 persona.

Marketing

MPB-ja thotë se hetimet kriminalistike kanë nisur që në dhjetor 2023, por gjatë së premtes dhe të shtunës përmes një aksioni të përbashkët të Policisë kundër tregtisë së jashtëligjshme me drogë, Njësisë Speciale “Tigrat” dhe Policisë së Shkupit, janë ndërmarrë aktivitete të koordinuara në rajonin e Shkupit, për të shkatëruar shitjen nëpër rrugë të kokainës, amfetaminës dhe marijuanës.

Gjatë këtij aksioni, nga liria janë privuar 28 persona, kurse bastisje janë kryer në 7 lokalitete në Shkup.

“Krahas 28 personave të privuar nga liria, gjatë hetimeve kriminalistike janë siguruar dëshmi materiake për implikimin e personave në shitjen rrugore të kokainës, amfetaminës dhe marijuanës. Për dy persona tashmë është përcaktuar masa e paraburgimit, kurse janë konfiskuar një motoçikletë “Honda” si dhe vetura “Ford Mondeo” për të cilët ekzistojnë dëshmi se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale”, thone nga MPB.

Policia gjatë bastisjes ka konfiskuar shuma të mëdha parash, marijuanë, armë dhe dokumente personale të më shumë personave.

Gjatë ditës, sic njofton MPB-ja, nga Policia e Shkupit në Prokurori do të dorëzohen kallëzime penale kundër 7 personave./tvklan.mk