Aksioni i mëshirës dhe solidaritetit në Gostivar

Në ditën e dytë të muajit të bekuar të Ramazanit, pra, të Martën më 07 Maj 2019, Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vazhdon me aksionin e vet për këtë muaj i cili njihet si Mëshira dhe solidariteti, ku në mënyrë të koordinuar bën ndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore, të pastrehët dhe jetimët në qytetin e Gostivarit, gjegjësisht në Myftininë e Gostivarit.

Marketing

Sipas zyrtarëve të kësaj organizate, për këtë muaj të bekuar janë planifikuar të shpërndahen mbi 200 tonelata ndihma. Ashtu si edhe vitet e kaluara këto aksione mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamive në tërë vendin, të cilat fillimisht përpilojnë lista të skamnorëve dhe më pas ato ndihma shpërndahen sipas këtyre listave në tërë territorin e vendit tonë.
Në ditën e parë të Ramazanit, OH Hilal filloi aksionin humanitar në myftininë e Shkupit, ndërsa ky aksion vazhdon në Myftininë e Gostivarit ku Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti i dorëzoi 9 tonelata ndihma Myftiut të Myftinisë së Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, i cili në prezencë të mediumeve lokale falënderoi publikisht Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për angazhimin e palodhshëm në sferën e humanitetit dhe sigurimin e ndihmave për skamnorët e tërë territorit të Maqedonisë së Veriut, e posaçërisht skamnorëve dhe jetimëve të qytetit të Gostivarit. Efendi Fetahu gjithashtu falënderoi OH Hilal dhe Kryetarin Dauti për, siç tha ai, këto ndihma mase të nevojshme për skamnorët e Myftinisë së Gostivarit.

Me këtë rast Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti falënderoi Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe na dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni. Gjithashtu, ai falënderoi edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka për mbështetjen disa vitëshe.

Efendi Dauti para mjeteve të informimit deklaroi se: “Sot në ditën e dytë të muajit të bekuar të Ramazanit ndodhemi në Myftininë e Gostivarit, dhe i jemi përgjigjur kërkesës së kësaj Myftinie dhe listave të përpiluara paraprakisht, për të ndihmuar skamnorët dhe jetimët që gravitojnë në këtë Myftini, ku edhe ndamë 9 tonelata ndihma. Aksionet e tilla do të vazhdojnë çdo ditë përgjatë tërë muajit të Bekuar të Ramazanit, ku ne si organizatë këto ndihma do t’i shpërndajmë nëpër të gjitha myftinitë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Njëherit dua të falënderoj Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi, që vazhdimisht na jep mbështetje të fuqishme, kurajë dhe vullnet që këto ndihma të shkojnë në vendin e duhur, pra tek skamnorët dhe të gjithë ata që kanë nevojë”.

Menjëherë pas dhënies së deklaratave për mediumet, në një transparencë të plotë para kamerave televizive, Myftiu i Gostivarit Shaqir ef. Fetahu dhe Kryetari i OH Hilal filluan të ndajnë ndihmat për skamnorët të cilët paraprakisht ishin njoftuar dhe planifikuar. Ndihmat e tilla humanitare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit janë më se të nevojshme për skamnorët, sepse duke parë që varfëria po merr hov të madh nëpër popullatën muslimane, kushtet e vështira dhe papunësia e madhe, jemi të bindur se këto ndihma sado pak do të zbutin varfërinë tek shumë familje skamnore.

Ashtu siç u përmend më herët, OH Hilal për gjatë muajit të Ramazanit ka planifikuar aksione të pandalshme ku do të bëhet shpërndarja e 200 tonelatave ndihma, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.

Marketing