Prokuroria Themelore në Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarave për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Sipas njoftimit, dy të dyshuarat me inicialet N.P. dhe E.I., kanë kryer veprat penale në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
“…Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke u paraqitur si anëtare të një OJQ-je dhe si mjeke, kanë ofruar shërbime dhe trajtime mjekësore për qytetarët e Kosovës, pa qenë të licencuara dhe të autorizuara nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e për të cilat shërbime kanë pranuar pagesa të rregullta mujore nga autoritetet e shtetit të Serbisë, në shumën deri 1,700.00 euro”, njofton prokuroria.
Në komunikatë theksohet se ato kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, si dhe ka propozuar që barnat dhe produktet mjekësore të konfiskohen dhe të njëjtat të asgjësohen sipas procedurës së paraparë ligjore”, njofton prokuroria.