Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë për vepër penale neglizhim dhe abuzim të fëmijës kundër një dadoje, e cila ishte filmuar nga kamerat e sigurisë në sallën e pritjes në ambient të një objektit hotelierik në lagjen Aerodrom në Shkup, se si rrahë një fëmijë që i është besuar për kujdestari. Prokuroria gjithashtu kërkoi zgjatjen e paraburgimit, masë e cila ishte përcaktuar më parë.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi për vepër penale – Neglizhim dhe abuzim i fëmijës sipas nenit 201 paragrafi 1 i Kodit Penal. E pandehura më 21.11.2019, në këndin e lojërave në një ambient hotelierik, abuzoi me fëmijë dy vjeçar, për të cilin ishte angazhuar si kujdestare. Ndërsa prindërit ishin në punë, dadoja disa herë ka goditur fëmijën me shuplaka, i ka zënë frymën me dorë duke e mbajtur në fytyrë dhe gojë dhe disa herë e ka ngritur dhe goditur në tokë. Fëmija u përpoq vazhdimisht të largohej prej saj dhe pësoi lëndime fizike nga keqtrajtimi dhe ka marrë lëndime trupore”, kumtoi Prokuroria Publike.
Prokuroria thekson se, pasi që në rastin konkret ekziston rrezik real që e pandehura të arratiset, si dhe të jetë në gjendje të përsërisë veprën me të cilën ngarkohet, prokurori publik kompetent deri te Gjykata Themelore Penale e Shkupit ka dorëzuar propozimin për vazhdimin e masës paraprake të paraburgimit.