Aktivitete të shumta kulturore dhe shkencore në “Ditët e Alfabetit”-2023

Prej të martën më 14 nëntor, e deri më 22 nëntor 2023, do të zhvillohet edicioni i pestë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, me një program të pasur kulturor dhe shkencor, për nder të 115-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 16-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Marketing

Ky aktivitet tradicional organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me institucionet relevante akademike shkencore nga vendi dhe rajoni, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Në programin e sivjetmë, për çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00 e paradites, do të ketë paraqitje të institucioneve më larta shkencore dhe akademike nga vendi dhe rajoni.

Kështu, më 14 nëntor, në sallën solemne të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, do të bëhet hapja e manifestimit, me pjesëmarrjen e kryetarëve të tri akademive të shkencave dhe arteve (e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë), si dhe do të promovohet botimi i veçantë “Ditët e Alfabetit” nr. 4 nga edicioni i kaluar.

Më 15 nëntor, në sallë e Ohrit në ndërtesën e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Instituti i Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, me temën kyçe “Arkeologjia, letërsia dhe shtetndërtimi – portret i akademik Edi Shukriut”.

Më 16 nëntor, në sallën W.Wilson në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me botimet e saja akademike shqip – maqedonisht – anglisht.

Më 17 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup do të prezantohet Instituti Albanologjik i Prishtinës, me temën “Institucionalizimi i studimeve shqiptare – 70 vjet të institutit albanologjik”.

Më 18 nëntor, në ITSHKSH – Shkup do të përurohet libri “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, si botimi më i ri shkencor i ITSHKSH-së.

Më 20 nëntor, prapë në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë nga Tirana, me tre projektet madhore në albanologji (Historia e shqiptarëve, Fjalori i madh i shqipes dhe Enciklopedia shqiptare).

Më 21 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqiptar nga Tirana, me përurimin e katër botimeve të reja arkivale dhe ekspozitën ‘Gjuha shqipe – nga alfabeti në drejtshkrim’.

Dhe, më 22 nëntor 2023 (e mërkurë), kur shënohet Dita e Alfebetit të Gjuhës Shqipe si festë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohen disa aktivitete. Kështu, prej ora 10:00 në ITSHKSH – Shkup do të shënohet përvjetori i Kongresit të Manastirit dhe i themelimit të Institutit, si dhe do të përurohet pulla postare me figurat e Motrave Qiriazi (në bashkëpunim me Filatelinë e Postës së Maqedonisë së Veriut). Prej ora 14:00, në Filhamoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, do të mbahet manifestimi qendror me Akademinë solemne. Në mbërmje ngjarjet do të zhvendosen në Manastir, ku prej ora 18:00 në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi “Qiriazët- themeltarët e arsimit kombëtar” (në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Qiriazi” – Tiranë), si dhe do të bëhet përurimi i Departamentit “Qiriazët” në kuadër të ITSHKSH-së në Manastir. Dhe krejt në fund, prej ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, do të jepet koncerti festiv nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut./KlanMacedonia