Aktori i famshëm turk, Halit Ergenç, është dënuar me burgim me kusht për dhënien e dëshmisë së rreme në lidhje me organizimin e protestave të parkut Gezi në vitin 2013.
Sipas mediave turke, një gjykatë në Stamboll e dënoi Ergençin me burg për “përpjekje për të përmbysur qeverinë turke” dhe “pengim të funksioneve të saj”.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.
Procedurat u nisën pasi prokurorët thirrën Ergençin dhe aktorin Riza Kocaoglu në një seancë të re dëgjimore në lidhje me agjenten Ayse Barim, e cila ndodhet në paraburgim që nga janari me akuzat për përpjekje për të përmbysur qeverinë turke.
Dyshohet se Barim u dha udhëzime aktorëve që ajo përfaqësonte që të mbështesnin publikisht protestat në parkun Gezi.
Gjatë gjyqit, Ergenç pretendoi se nuk kishte qenë në kontakt me organizatorët e protestës, përfshirë Memet Alabora dhe Ayse Barim. Por hetuesit gjetën prova që tregonin lidhjen e tij me ta, si dhe pamje filmike që konfirmonin praninë e tij në protesta.
Ergenç u dënua me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg, ndërsa Kocaoglu mori një dënim prej 1 viti e 8 muajsh. Megjithatë, gjykata e shtyu shpalljen e vendimit, që do të thotë se dënimet nuk do të ekzekutohen nëse të dy burrat nuk kryejnë një vepër të re penale.
Të dy i mohuan akuzat dhe kërkuan lirim nga akuzat gjatë seancës dëgjimore.
Protestat në parkun Gezi filluan në maj 2013 si një protestë paqësore kundër prishjes së parkut të Stambollit për ndërtimin e një qendre tregtare, por shpejt u shndërruan në demonstrata më të gjera antiqeveritare të drejtuara kundër kryeministrit të atëhershëm Rexhep Tajip Erdogan.
Mijëra qytetarë dolën në rrugë në të gjithë Turqinë, duke protestuar kundër sundimit autoritar, kufizimeve të lirisë së medias dhe dhunës policore. Autoritetet iu përgjigjën protestave me forcë, duke rezultuar në lëndime të shumta, arrestime dhe dënime ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut. /Telegrafi