Aktorja e njohur arabo-izraelite arrestohet “për mbështetjen e Hamasit”

Aktorja arabo-izraelite Maisa Abd Elhadi, e njohur në Izrael për shfaqje dhe seriale të ndryshme televizive, u arrestua nga policia për shprehjen e mbështetjes përmes rrjeteve sociale për sulmin e Hamasit më 7 tetor.

Marketing

Lajmi u bë i ditur nga mediat izraelite, të cilat citonin policinë që konfirmoi arrestimin e “një aktoreje dhe influencueses, banuese në Nazaret, e dyshuar për mbështetjen e terrorizmit përmes postimeve të saj dhe nxitjen e urrejtjes”, por pa e përmendur emrin e saj.

Izraeli e akuzon atë për mbështetje të Hamasit. Në fakt aktorja arabo-izraelite Maisa Abd Elhadi postoi në rrjetet sociale një imazh të një gruaje të moshuar të marrë peng nga Hamasi, shoqëruar me emoji të qeshure, dhe një tjetër në të cilën shihen terroristë duke thyer barrierën e sigurisë izraelite me shkrimin në anglisht “Let’s go, Berlin style”.

Postimet e saj u kritikuan nga partneri i saj në filmin “Temporarily Dead”, kolegu Ofer Shechter: “Më vjen turp për ty. Ti jeton në Nazaret, je aktore në shfaqjet tona dhe pastaj na godet me thikë pas shpine“, shkroi aktori në një koment.

Karriera e Maisa Abd Elhadi ishte edhe përtej Israelit. Ajo u shfaq në filmin hollivudian “World War Z” dhe së fundmi në serialin britanik “Baghdad Central”.

Marketing