AKV “Ibe Palikuqi” uron 28 Nëntorin nga kuvendi i Kroacisë (FOTO)

Ansambli i këngëve dhe valleve “Ibe Palikuqi” nga Shkupi këtë 28 Nëntor me veshje kombëtare shqiptare “pushtuan” Kuvendin e Republikës së Kroacisë nga ku edhe uruan të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë për Ditën e Flamurit dhe mëvetësinë e Shqipërisë.

Marketing

Kryesia e “Ibe Palikuqit” bashkë me anëtarët e saj u pritën në ambientet e Kuvendit Republikan Kroat nga deputetja e vetme shqiptare në këtë shtëpi ligjvënëse, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, veprimtari i çështjes kombëtare Kastriot Noshi dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zagreb, Milaim Fetai.

Në një atmosferë festive u dhanë mesazhe të fuqishme se “Ibe Palikuqi” është një ansambël i cili fuqishëm mbron dhe kultivon vlerat kombëtare.

Deputetja shqiptare e kuvendit kroat, znj. Ermina me këtë rast folur rreth përpjekjeve që bëhen për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave tek shqiptarët në Kroaci, duke thënë se bashkëpunimi i komunitetit shqiptar në Kroaci është i domosdoshëm dhe duhet të thellohet me ansamblin “Ibe Palikuqi” nga Shkupi gjithnjë në qëllim të zhvillimit të vlerave kulturore e gjuhësore.

Ndërkohë, ambasadori Fetai foli për rëndësinë qe kanë Ansamblet e në veçanti AKV “Ibe Palikuqi” nga Shkupi në ruajtjen e vlerave kombëtare tek gjeneratat e reja.

Qëndrimi në Parlament dhe pritjet e rezervuara ishin “qershia mbi tortë” e vizitës së Ansamblit “Ibe Palikuqi” në Zagreb të Kroacisë.