300 mijë njerëz mund të vdesin nga uria çdo ditë për tre muaj nëse kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 ndalon Programin Botëror të Ushqimit të arrijë tek ata me furnizime të nevojshme për jetën, tha drejtori i saj.
David Beasley u shpreh në një intervistë për “Associated Press” se edhe furnizimi po has pengesa pas kufizimit të eksportit, mbylljes së kufijve dhe porteve, fermat që nuk prodhojnë më dhe me rrugët e mbyllura.
Ai tha se kishte shpenzuar orë të tëra çdo ditë duke folur me zyrtarë në vendet donatore, në përpjekje për të vijuar me marrjen e donacioneve. Por drejtori i Programit Botëror të Ushqimit shtoi se ka frikë se probleme e rënda ekonomike do të çojnë në uljen e fondeve.
Mbështetja për Programin Botëror të Shëndetit vjen nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Bashkimi Evropian, Japonia.
“Nëse ekonomitë e tyre përkeqësohen ndjeshëm, kjo ndikon në paratë tona, ajo ndikon në ekonomitë lokale në vendet në zhvillim në një larmi mënyrash.”
Sipas Beasley, një ish-guvernator i Karolinës së Jugut, 821 milionë njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo natë në të gjithë botën tani.
Programi Botëror i Shëndetit siguron ushqim për afro 100 milionë njerëz në çdo ditë të caktuar, përfshirë edhe rreth 30 milionë njerëz që varen nga ata për të qëndruar gjallë.
“Dhe nëse ata 30 milionë njerëz nuk mund të arrihen, analiza jonë tregon se 300,000 njerëz mund të vdesin nga uria çdo ditë të vetme gjatë një periudhe tremujore.”