“Albania Lion 2018″ në Tiranë, për herë të parë ushtarakë nga Kosova

1200 ushtarakë shqiptarë dhe të ardhur nga Britania e Madhe, Kroacia e Kosova ushtruan sot në sheshin “Nënë Tereza”, një demonstrim të përgatitjes fizike, por edhe të mjeteve ushtarake, në kuadër të stërvitjes “Albanian Lion 2018”.
Në ceremoninë e zhvilluar, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka theksoi rëndësinë e kësaj stërvitjeje. “Zhvillimi i kësaj stërvitjeje është demonstrim i vullnetit të përbashkët të vendeve tona për të bashkërenduar përpjekjet e për të rritur shkallën e profesionalizmit, aftësive ndërvepruese dhe kohezionit ndërmjet Forcave tona të Armatosura, për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe rritjen e sigurisë dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh Xhaçka.

Marketing

Një nga risitë e kësaj stërvitjeje të përbashkët është se për herë të parë u bë pjesë edhe Forca për Sigurinë e Kosovës. Ministrja deklaroi se vitin tjetër pjesëmarrja në “Albanian Lion” do të 5-fishohet. Më tej në fjalën e saj, ministrja Xhaçka u shpreh se Shqipëria mbetet vend me kontribute të qenësishme në NATO. “Vendimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut, për të financuar realizimin e projekteve të përbashkëta me Aleancën për modernizimin e Bazës së Kuçovës dhe kthimin e saj në një bazë të NATO-s, është konfirmim i rolit dhe përgjegjësisë së vendit tonë, dëshmon peshën dhe përparësinë që përfaqëson Shqipëria për sigurinë dhe paqen në rajon, duke marrë në konsideratë faktin që Baza Ajrore e Kuçovës është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja vuri në dukje faktin se Shqipëria do të marrë kryesimin e disa strukturave të rëndësishme për sigurinë në rajon dhe Evropë. “Shqipëria ka arritur tashmë edhe pjekurinë dhe aftësitë për të drejtuar procese të rëndësishme në fushën e sigurisë. Dhe duke filluar nga nëntori i këtij viti do të marrim kryesinë e RACVIAC, Qendrës për Siguri dhe Koordinim me qendër në Kroaci që ka për mision dialogun dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes vendeve të Evropës Juglindore. Po ashtu në vitin 2019, Shqipëria do të marrë drejtimin e Kartës së Adriatikut dhe SEEDM-it, të cilat janë struktura dhe instrumente të rëndësishme të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal”, u shpreh Xhaçka.

Në këtë aktivitet mori fjalën edhe Gjeneral Major Charles Stickland, komandant i Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar. “Shqipëria luan rol kyç në mbështetje të përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të bashkuar aleatët dhe ne jemi mjaft mirënjohës për këtë mbështetje sikundër për ngrohtësinë dhe mikpritjen që na tregohet nga Forcat e Armatosura dhe shqiptarët. Kjo stërvitje është mundësi për forcat e marinës mbretërore për të kontribuar dhe për të vlerësuar gatishmërinë luftarake të vendeve të NATO-s për vitin 2019”, tha gjeneralmajor Stickland

Marketing