Shkruan: Blerant Ramadani
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti mbi statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është bërë me vetëdije të plotë dhe mbi bazën e njohurive të detajuara për situatën e shqiptarëve këtu.
Për ta paraqitur atë si të “keqinformuar” nga ndonjë parti shqiptare këtu është një përpjekje e dështuar për të devijuar realitetin që shqiptarët e Maqedonisë Veriore e njohin shumë mirë.
E vërteta është se, pavarësisht ekzistencës së një ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, zbatimi i tij ka qenë i mangët dhe shpesh selektiv. Shqiptarët në Maqedoni e dinë shumë mirë se sa herë është dashur të luftojnë për të drejtat e tyre gjuhësore në institucione, në administratë, dhe në jetën e përditshme. Ata e dinë se përdorimi i shqipes shpesh është varur nga vullneti politik dhe jo nga zbatimi i drejtë i ligjit.
Në vend që të kërkojë ndjesë nga z.Kurti, z.Ahmeti dhe ata që kanë qeverisur mbi dy dekada duhet të japin llogari para shqiptarëve përse, pas gjithë këtyre viteve në pushtet, ende duhet të diskutohet për gjëra elementare si përdorimi i shqipes në administratë, dokumente zyrtare dhe institucionet shtetërore.
Shqiptarët janë ngopur dhe nuk kanë nevojë për retorika emocionale , por për politika konkrete që garantojnë barazi të vërtetë. Prandaj, deklaratat e tij nuk e ndryshojnë realitetin, ato thjeshtë e zbulojnë frikën e politikës së vjetër nga e vërteta.
Në fund, e vërteta nuk ndryshon: Albin Kurti nuk është i keqinformuar nga askush. Ai thjesht tha atë që shumë shqiptarë në Maqedoni e dijnë dhe e kan përjetuar për gjatë kohë.
*postim në facebook nga sekretari i përgjithshëm i ASH-së