Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë të organizuar nga EastWest Instute, ka prezantuar parimet e tij për dialogun Kosovë-Serbi. Kreu i Vetëvendosjes i cili pritet që të jetë edhe kryeministër i Kosovës, ka thënë se Vuçiq nuk do të jetë pjesë e tryezave të diskutimeve Kosovë-Serbi, meqë s’do të ketë dialog mes dy shteteve në nivel presidentësh. E këtyre deklarimeve të Kurtit u është përgjigjur sot nga Beogradi, kreu i shtetit serb, Aleksandar Vucic, duke thënë se tashmë kreu i VV’së ka filluar që të përzihet edhe në çështje të brendshme të politikës së Serbisë, duke treguar se kush duhet të përfaqësojë Beogradin në bisedime. Presidenti serb në mënyrë ironike ka thënë se “është një gjë e mirë që Kurti ka filluar të merret edhe me çështje organizative se kush duhet të udhëheq delegacionin tonë në dialog”.
Vuçiq thotë se është mirë që Bashkimi Evropian mund të shoh faktin se Kurti dëshiron të vendos se kush do të negociojë në bisedimet për normalizimin e raporteve. Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se Kurti e ka problem çështjen se si do të përballen, pas deklaratave që kreu i Vetëvendosjes i kishte bërë për vajzën e Vuçiqit. “Ai e ofendoi vajzën time të mitur, kështu që tashmë ai e pyet veten se si do t’i kundërpërgjigjem, duke mos qenë i sigurt se si do të mund të shkonte një takim i mundshëm”, ka potencuar Vuçiq gjatë një vizite në një bazë ushtarake sot, shkruan novimagazin.rs. Ndër të tjera, Vuçiq ka thënë se si në Serbi, ashtu edhe në Kosovës ekziston një fushatë shumë e egër që për target ka vetë kreun e shtetit serb.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje vitin e kaluar derisa ishte duke komentuar takimet e shpeshta mes Thaçit dhe Vuçiqit, kishte thënë në formë ironike se tashmë ka mbetur vetëm që djali i Thaçit të martohet me vajzën e Vuçiqit. E për këto deklarata atë kohë kishte reaguar ashpër Vuçiq, duke qenë se vajza e tij në kohë kur kishte folur Kurti kishte qenë e mitur. Por Kurti në një intervistë të më vonshme ka sqaruar që nuk e ka ditur fare që Vuçiq ka një vajzë.