Albin Kurti ua ‘mori’ edhe UÇK-në

Kimete Berisha

Marketing

Armikun e ndjekim hu gardhi!

1. Ua ‘mori’ edhe UÇK-në.
Askush më shumë se Albin Kurti s’i numëron dëshmorët dhe heronjtë.
Nuk e harron asnjë, një nga një i përmend me emër, të të gjtha epokave.

(Është trik psikologjik ky, kur do t’ia marrësh zemrën dikujt, e thërret me emër!)

– Derisa partia e dalë nga lufta, PDK, flet si LDK-ja dikur, që e mohonte luftën, dhe edhe pas masakrave të Drenicës, organizonte zgjedhje ‘të lira’ në vendin e pushtuar e të përgjakur,
Albin Kurti flet si rebel që s’e duron më robërinë, flet për armë, për fabrikën e armëve, për armikun që do ta ndjekim hu gardhi!

– Albin Kurti flet si komandant i UÇK-së, e komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj flet si viktimë e komendive romantike!

– Pra, këngët e Shkurte Fejzës dëgjohen në tubimet e Albin Kurtit…i cili ua ‘mori’ edhe këngët, edhe poezitë, edhe çdo gjë që prek në shpirt!

– Dhe, dha më shumë se që duhet…
A ka gjynah më të madh se sa që ia dha William Walkerit shtatëdhjetëmijë euro për një libër me kopertina fletoreje që kushton të botohet më së shtrenjti dymijë euro!

– Mos i paça borxh atij që i mori ato pare në emër të viktimave, e jo atij që i ia dha!
– Ato pare do të duhej të shkonin tek familjet e viktimave!

– As K’urani, as Bibla, as Torah, nuk kanë kushtuar më shtrenjtë se ky libër!

– Pra, as fjala e Zotit (më fal o shpirt) nuk ka kushtuar më ‘shtrenjtë’ se sa e vërteta e rishkruar, e vërteta që dihet dhe që është e njohur në botë!

– Wlalker, do të mund të shpërblehej për kontributin e tij me atë shumë të
pareve (anipse detyrë e ka pasur e jo mision humanitar),
apo t’i jepej pension i perhershëm për kontributin e tij.

….se kur ti thua që për t’u botuar një libër i kushton shtatëdhjetëmijë euro, është mashtrim!

– Rexhep Qosjes, qeveria e PDK ia ka pas dhënë dyqind e kusur mijë euro për të botuar libra që s’i ka lexuar kush!

2. Pasi i fryu në vesh Grenelli, Ramush Haradinaj, plot elan, tregoi se më përpara pranon të mbetet veteran (demek, niveli më i ‘ulët’), sesa President me Albin Kurtin!

– Ne femrat e përdorim këtë shprehje ekstreme kryesisht në dashuri, si vijon:
– ‘Më përpara e kalli veten, se sa që pranoj të përpjekem me ty…o laper’!

– Ramush Haradinaj e ka një intuitë interesante dhe është ekspert i propagandës së heshtur
(vlen të theksohet se vetëm ai nuk më ka ftuar kurrë në partinë e tij, prandaj mund të jem subjektive kur shkruaj për të).

– Ramush Haradinaj kujton që Grenelli tash është veç ‘i tij’, e ka harruar se Grenelli para se të bëhej ‘i tij’, ishte mish e shpirt me Vuçiqin, kundër shqiptarëve!

– Pra, Grenelli është i neve të gjjthëve, i krejt botës, ndryshe i thotë Albinit për Ramushin, e ndryshe Ramushit për Albinin.

– Grenelli lule më lule, mirë, por nuk të bën President, të bën, por i duhet pak kohë derisa t’i bëj për vete popullin shqiptar.

– E kuptoj, është koha që çanta 2,000 euro e Anitës të valojë përsëri në sheshin e Flamurit!

3. Bedri Hamza po shkon duke e ulur zërin.

– Dje, edhe një herë ia bëri me dije popullit se i do fëmijët e tij.
Edhe ky është lajm, me titull:
– ‘ Njeriu që i donte fëmijët e tij’.

– Se, ka turli Babe. Për shembull, Baba i Yll Limanit.
Kur e pyeti gazetarja se ai i pëlqejnë këngët e Yllit, ai tha që i pëlqen Ylli, pra jo këngët e tij. E dhimbshme, se Ylli u skuq.

– Bedriu tha se kur të bëhet Kryeministër ‘S’do të ketë më dhunë ndaj grave’.

– Thuajse dhuna ndaj grave ka qenë e lejuar deri tash…’sillni sa t’mundeni’….pra u rreh kush u rreh…me ardhjen e tij, s’ka më….

– E, çka do të bënte konkretisht…nuk tha, sepse nuk di gjë…

– Qe, një ide.
Në Kosovë do të duhej të ekzistonte një Inspektoriat, më në krye mua, që së paku një herë në muaj (sidomos festave) të shkonte shtëpi më shtëpi vetëm për t’i pyetur gratë e vajzat:
– ‘A po ju nguc kush’!

Unë e meritoj ta udhëheq këtë Mission, sepse dy herë kam ndërhyrë në drama romantike…

– Kur kam qenë në vitin e parë fakultet, bukuroshe siç isha, në sheshin e tashëm Nëna Terezë, një vajzë qante e dëneste , sherri i një djali që ia mbledhte betë.

Nuk ndërhyra me vetëdije, por me një instikt heroine dhe i thashë vajzës:
– Pse po qan?
Fshijë lotët, e hiqu ‘tij…idioti’..

Ndërhyrja ime në atë romancë në gur pati sukses.

– Dhe së voni në rrugën B, njëri e kish mbështetur për muri një vajzë shtatgjatë, e cila qante shumë…
U ndala.
– Çka i ke bërë – e pyeta djalin!
– Pse po qan – e pyeta vajzën!

Ajo s’mund të përgjigjej nga ngashërimi, por ai u përgjegj për të.
– Tha: Kurgjë për besë s’i kam bërë, veç kjo e ka zanat – qan kah t’rrotullohet….!…

– Pra, Inspektoriati, së paku një herë në muaj shkon derë më derë dhe i pyet gratë e vajzat:
– ‘A po ju nguc kush’!

4. Ka gra që po e kërkojnë votën, sepse dinë të gatuajnë.
Ama pa e provuar ushqimin, votuesi nuk të beson që i bën me shije.

– Asnjë kandidat mashkull për deputet nuk u bë budalla t’i shpalos aftësitë e tij të gatimit – makaronat.

– E gratë po. ‘Unë di me gatu’.
Edhe?
– Çka po na intereson neve që ti din me gatu, moj, se s’ke m’i gatu elektoratit e as mësitin s’kemi me t’a çu, se je e martuar!

– Pra, sa herë gruaja shqiptare tregon se di të gatuaj e shpreh mjerimin e saj të thellë!

– Pse, a bën, lejojnë burrat, të mos dish’ të gatuash a…kjo është çështja, që do të duhej ta diskutonin inxhet!

5. Dola nga puna në pauzë.
M’u flug njëri (që shquhej për guxim emocional), dhe ma preu rrugën kur më tha me zë të ulët:
– ‘N’ymër temin s’kum pa femër që ec ma mirë’…

– E dija që për të më ndjekur mua personi duhet të jetë i përgatitur fizikisht, sepse unë ec minimumi ec 10 mijë hapa në ditë (me shtiklla), prandaj jo kushdo mund të më ndjek, edhe mundet, po pastaj i nxjerrren kukat.

– Por, për ta shmangur hyra në një dyqan të xhingla-minglave të grave, ku kryesisht shesin rruza. Ai hyri pas meje.

– Për fat timin s’pati aty afër dyqan të plisave që të hyja, se ish mashtru’ mbas tyne e m’kish harru’ mua…

– Kur arrita t’i shmangem, ma nisi mandej m’dhimke shpinDa siç do të thoshte Arbërija, se si duket isha ‘ngrehur’ unë më shumë se që ma lejon ashti.

6. Gjatë fushatës, tregtarët hajna i kanë ngritur çmimet në hanë!

– Ne nuk ia bëjmë si kroatët që dje i kanë bojkotuar të gjitha tregjet, marketet e pompat e benzinës….

– Sepse s’ka më protestues ky vend! Protestuesi i fundit në Kosovë ishte Albin Kurti, që i ndjekte policët e pushtetit, duke i quajtur lahpera!

– Ku janë studentët!
A ka studentë Kosova dhe çka bëjnë ata, me çka merren!
– Ata s’janë naivë, si ne, që si gjimnazistë protestonim kundër padrejtësive, para pushkëve e tanskeve serbe!
E sot të rinjtë luajnë ditë e net me pushkë e me tankse lodra!

7. Një serbe (se unë flas edhe me serbë), më pyeti një ditë:
– Kush i fiton zgjedhjet!

– Pasi i tregova që Albini i fiton, i thashë që mos u brengos ti se kushdo që i fiton ty të bjen mirë, por çfarë t’i bëj vetes se…

– Ti çka mendon, e pyeta!
Ajo tha se Lumiri është ‘drveni’, pra i drunjtë, e nuk po i ka hije dashuria, dhe siç m’u duk mua, asaj i pëlqente Lumiri, të cilin donta ta shihte të shkrirë në dashuri, si Albinin!

– Kur i tregova motrës për opinionet e serbes, motra Fatmire më tha:
– Po ti, pse nuk e pyete për protestat kundër Vuçiqit në Beograd!

– Haha, Jo, i thashë – nuk guxova!
Por, i shikova protestat në Beograd dhe m’u krijua përshtypja sikur tek tash po ndodh rënia e Millosheviçit në Serbi.

P.S. Gjykata e lexuesve:

Kim,
– Je e shitur!
– Sa të ka blerë Albini?
– Cilën pozitë ta ka ofruar?
– Ta ka zbuluar ndonjë sekret e tash ti s’po guxon të shkruash më kundër tij!
– Albin Kurti i ka mohuar dhe nënçmuar të gjithë opinionisët, përveç teje…Pse?
– Ç’prej se u fotografove me të, ke ndryshuar, ‘je zbutur’!
– Haram të qofshin Like-t e mia!

– Vendimet e Gjykatës së
lexuesve i pranoj veç pse janë mesjetare, se sikur të mos ishin mesjetarë, do ta kuptonin se…
– Kur unë shkruaja ‘keq’ për Albin Kurtin e krahasoja me Idealet e mia, e jo me Opozitën, që s’ka lënë të keqe pa ia bërë këtij vendi!

– S’e kam nijet të bind njëri!

(E, Unë kam schliff për shkrime, çka t’bëj…!)