Albin Tahiri fiton normën olimpike Pekin 2022, në disiplinën e sllallomit të madh

Albin Tahiri ka kompletuar rezultatet e nevojshme për normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, disiplina e sllallomit të madh në skijimin alpin.

Skitari ynë doli i 23-ti në garën e sotme të mbajtur në Maribor të Sllovenisë. Tahiri përfundoi të dyja lëshimet me kohë 2:16.76 minuta, për të fituar 82.24 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Në garë morën pjesë 50 garues, ku 10 prej tyre nuk përfunduan njërin nga dy lëshimet.

Marketing

“Jam shumë i lumtur me garën e sotme. Kam përmirësuar rezultatin e sotëm për dallim nga dje (i 29-ti) dhe kam marrë 82.24 pikë të FIS-it, që është rezultati dukshëm më i mirë për Kosovën në dy sezonet e fundit në ndonjë disiplinë”, thotë Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Tani kam quar në pesë numrin e rezultateve të nevojshme për normën olimpike, të cilën tani e kam të arritur në sllallom të madh. Jam shumë i lumtur për këtë”, shtoi 32-vjeçari.

Albini do ta kërkojë normën olimpike edhe në disiplinat e shpejta si: Super sllallom të madh, kombinim alpin dhe lëshim.

Më herët, normën olimpike, por në disiplinën e sllallomit e ka arritur Arbi Pupovci.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen në Pekin të Kinës prej 4-20 shkurt të vitit të ardhshëm.