Revista prestigjioze e muzikës Rolling Stone ka publikuar listën e saj të përvitshme të 100 albumeve më të mira dhe këtë vit këngëtarja e njohur me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është e pranishme me albumin e saj të fundit “Bebe”, i cili është publikuar në prill dhe shënon albumin e tretë në karrierë të këngëtares.
Albumi “Bebe” ka arritur të kapërcejë kufijtë dhe të prekë zemrat e dëgjuesve anembanë botës, duke përfshirë një gamë të gjerë zhanresh muzikore. Kritikët dhe fansat janë njëzëri në vlerësimet e tyre, duke e cilësuar atë jo vetëm si një prej albumeve më të mira të vitit, por edhe si një nga punët më të rëndësishme të Bebe Rexha-s.
Me muzikën e saj dhe jo vetëm, Bebe Rexha vazhdon të tërheqë vëmendjen në skenën globale të muzikës. Me “Bebe”, bukuroshja na ka dhënë një koleksion këngësh që janë si një celebrim i jetës, dashurisë dhe sfidave të të qenurit i ri në këto kohë të ndryshueshme. Përfshirja e albumit “Bebe” në listën e Rolling Stone konfirmon praninë e Rexha-s si një artiste e respektuar dhe e pranuar në industrinë e muzikës.
Para disa kohësh ylli i muzikës pop foli edhe një herë për çështjet e peshës së saj. Përkundër faktit që shpesh është kritikuar për kilogramët e tepërt, Rexha nuk ka preferuar kurrë të bëjë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale për t’u dobësuar. Bebe ndërkaq tha se:
“Unë mund të përballoja një liposukcion apo ndërhyrje në gjoks, por tani jam e tmerruar nga ajo gjë. Nuk jam kundër, ke hequr qafe barkun, ke bark të sheshtë, kjo është e mahnitshme për mua dhe jam xheloze për këtë. Por unë jam tipi i personit që kam frikë se nëse shkoj të bëj një operacion, do të vdes në krevatin e kirurgjisë. Nuk mund ta bëj. Unë kam një frikë të madhe nga çdo gjë kirurgjikale.”/Tar